Ilir Meta ka reaguar pas daljes së rezultateve paraprake të zgjedhjeve, ku ka akuzuar qeverinë për presion e shkelje të kodit zgjedhor.
Ai u shpreh se zgjedhjet u asgjësuan edhe ditën e zgjedhjeve, me zhbërjen e elementit themelor të sigurisë në zgjedhje, që ishte identifikimi elektronik i zgjedhësve
Postimi i plotë:
Zgjedhjet vendore të 14 Majit në Shqipëri u asgjësuan që pa filluar.
Duke mos e regjistruar opozitën në mënyrë të paligjshme, duke hequr komisionerët dhe numëruesit e opozitës. Duke përdorur tatimorët për presion ndaj çdo biznesi, duke kërcënuar votuesit e opozitës me gojën e kryeministrit, për pasojat që do të kishin nëse votonin për opozitën.
Por zgjedhjet u asgjësuan edhe ditën e zgjedhjeve, me zhbërjen e elementit themelor të sigurisë në zgjedhje, që ishte identifikimi elektronik i zgjedhësve, duke i kthyer qendrat e votimit në vende ku u dhunua hapur ligji dhe ku u ushtrua presion i pashembullt duke u mbushur me qindra drejtorë ministrish, sekretarë të përgjithshëm, drejtorë bashkie, administratorë komunash e nëpunësa gjithfarësh, përfshirë dhe policë e banditë.
E gjithë kjo me mbështetjen e hapur nga grupet kriminale dhe te narkotrafikantëve, që fatkeqësisht u bënë njësh me Policinë e Shtetit.
Shqiptarët dhanë një mesazh shumë të rëndësishëm guximi duke marrë pjesë ne këto zgjedhje dhe duke u përballur me presionin mafioz të narkoshtetit.
Narkozgjedhjet i nxorrën në shesh hapur të gjithë narkomanipuluesit e qeverisë, të cilët janë të evidentuar me emër dhe mbiemër.
Çdo veprim i tyre është evidentuar dhe mijëra fakte rëndojnë mbi ta. Euro humbi 10% të vlerës, aq shumë është përdorur ajo për të influencuar votuesit.
Populli shqiptar është shumë më i madh se sa narkoqeveria dhe Demokracia e Ndryshimi që ai meriton, është i pashmangshëm.
Asnjë narkozgjedhje nuk mund të mbajë peng lirinë dhe të ardhmen e shqiptarëve.
Top Channel