Takimi i Kurtit me ambasadorët e QUINT-it, diskutime për veriun e Kosovës dhe marrëveshjen me Serbinë

12/05/2023 15:42

Shqetësimi që ngriti emisari i Bashkimit Evropian për situatën në veri pas vizitës të së enjtes, u pasua me një takim të ambasadorëve të vendeve të QUINT-it në qeveri.

Detaje nga takimi i ambasadorëve me kryeministrin e Kosovës nuk u bënë të ditura megjithatë BE-ja në një deklaratë për media ka shprehur shqetësimin me ndërtimin e stacioneve policore në veri të Kosovës.

“Ndërtimi i katër bazave të Policisë së Kosovës në tokë private dhe shoqërore, në disa raste para fillimit të procedurave të shpronësimit , ngre shqetësime për të drejtat pronësore në veri të Kosovës dhe duhet të adresohet në mënyrë adekuate nga autoritetet”, duke iu referuar kështu vendimit të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e tokave në Leposaviç dhe Zubin Potok.

E pas takimit me të dërguarin Miroslav Lajçak, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se është po ashtu i shqetësuar me situatën në Veri të Kosovës, pasi sipas tij Kurti po vazhdon me pushtimin.
Tutje, Vuçiç thotë se ka përsëritur kërkesën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se të drejtat e pakicave duhet të jenë në një linjë me Kushtetutën.

Marrëveshja bazohet në parimet universale të barazisë së sovranitetit, respektimit të integritetit territorial, pavarësisë, heqjes dorë nga kundërshtimet ndaj anëtarësimit të Republikës sonë në organizatat ndërkombëtare, shkëmbimit të misioneve diplomatike, njohjes së simboleve shtetërore, pasaportave etj. Sa i përket të drejtave të pakicave në Kosovë, kushtetuta jonë ofron një kornizë të gjerë të të drejtave të njeriut dhe të drejta pozitive për pakicat tona.

I dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak gjatë së enjtes ishte në Prishtinë ndërkohë që të premten po qëndron në Beograd me misionin për të qartësuar hapat e mëtutjeshëm në dialogun Kosovë-Serbi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA