Një numër senatorësh republikanë kundërshtuan pretendimet e bëra nga Donald Trump në një diskutim të organizuar nga CNN dhe i thanë gjigandit mediatik amerikan, se nuk ishin dakord për një sërë çështjesh me ish-presidentin, çka u kthye në dëshminë e qartë të ndasive brenda kësaj partite.
John Cornyn, një anëtar i udhëheqjes republikane ne senat pohoi për CNN se mungesa e aftësisë së Trumpit për të tërhequr votues jashtë bazës së tij, përbën “një problem”.
“Nuk mendoj se na tregoi ndonjë gjë që nuk e kishim parë. Ai ka një aftësi unike për të grumbulluar bazën e tij, por jo për t`i shtuar radhët përtej saj, dhe ky është një problem”, tha senatori republikan John Cornyn.
Ish-presidenti tha mes të tjerash se dëshiron fundin e luftës në Ukrainë, se mendon që presidenti rus Vladimir “Putin bëri një gabim” duke pushtuar vendin fqinj por nuk e cilësoi atë një kriminel lufte.
“Kjo është diçka që duhet diskutuar më vonë”, ishte komenti i Trumpit për këtë çështje. Senatori Todd Young nga Indiana e cilësoi të gabuar këtë qëndrim të ish-kreut të administratës amerikane.
“Më shqetëson ky qëndrim, e kjo dhe arsyeja përse unë nuk kam ndërmend ta mbështes atë për nominimin republikan,” tha Young. Në debatin e zhvilluar në Nju Hampshër nën drejtimin e gazetares Kaitlan Collins dhe me një audiencë republikane dhe të pavendosurish, Trumpi vazhdoi të këmbëngulte se zgjedhjet kishin qenë “të manipuluara”, edhe pse zyrtarët e zgjedhjeve shtetërore dhe federale, zyrtarët e fushatës së tij, dhe shumë gjykata i kanë hedhur poshtë akuzat e tij.
Top Channel