Asociacioni duhet t’i përmbahet parimeve që kanë paraqitur të dërguarit e SHBA-së dhe Ballkanit, kështu deklaroi administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power.

Në vizitën e saj në Kosovë, ajo dha mesazhet e qeverisë së Biden, për dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen e fundit të arritur mes dy vendeve.

Power theksoi se marrëveshja duhet të zbatohet në tërësi, njëkohësisht duhet të nisë themelimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Kemi pasur diskutime edhe për urgjencën e krijimit të Asociacionit, por edhe zbatimit të plotë të gjitha aspekteve të marrëveshjes. Ne e kemi bërë shumë të qartë përmes Chollet dhe Escobar se cilat janë parimet dhe po ashtu besojmë se çdo asociacion do t’iu përmbahet atyre kushteve”, tha Samantha Power – Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar.

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, ajo shtoi se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke, por fokusi është normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Fokusi ynë është në implementimin e kornizës së plotë të normalizimit. Gjithmonë ka qenë pozicioni i ShBA-ve që kjo duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe ky mbetet qëndrimi ynë. Por tani fokusi ynë është në rëndësinë e Asociacionit dhe rëndësinë që serbët e Kosovës të kthehen në institucionet e Kosovës sa më parë që të jetë e mundur”, shtoi më tej ajo.

Në janar të këtij viti, këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari për Ballkanin, Gabriel Escobar, kanë paraqitur qëndrimin e tyre për përmbajtjen e Asociacionit.

Top Channel