Periudha e nxehtë zgjedhore ka nisur. E për të siguruar mbarëvajtjen e këtij procesi, pa incidente dhe krime zgjedhore, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi u ka dërguar një letër drejtuesve të institucioneve të drejtësisë.
Me qëllim parandalimin dhe evidentimin e veprave penale në zgjedhjet e 14 majit, Celibashi ka pasur një komunikim ndërinstitucional prokurorit të përgjithshëm Olsian Çelës, kreut të SPAK-ut, Altin Dumanit dhe drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
“Në njohje dhe respektim të kompetencës dhe të përgjegjësisë ligjore të secilit prej institucioneve që ju drejtoni, si dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj nevojën për të koordinuar ushtrimin e këtyre përgjegjësive me qëllim parandalimin dhe evidentimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve në mënyrë efikase, më së paku në raport me kohën. Kjo, për përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj. Mbi sa më lart, rekomandojmë të caktohen dhe të njihen reciprokisht kontaktet përkatëse, të posaçme, pritëse dhe dërguese të informacioneve të rastit. Kjo veçanërisht për periudhën nga sot deri në përfundimin e procesit të numërimit të votave”, shkruhet në letër.
Edhe pse fushata elektorale është konsideruar si e qetë nga misioni i ODHIR, akuzat mes palëve nuk kanë munguar. Pak javë më parë në Vaun e Dejës, automjeti i kryetarit lokal të zgjedhur nga Berisha u hodh në erë më tritol, duke e lidhur ngjarjen me sulme politike.
Ndërkohë në Rrëshen, posteri i PS që denigronte drejtuesit e opozitës, u dogj. Edhe në Mat u denoncua një skenë dhune nga kandidati I PS-së që fajësonte sipmatizantët e Berishës.
Një ditë më parë një 52 vjeçar u arrestua pas dyshimeve se bënte Pazar për vota me koordinatorin e Partisë së Lirisë në Kuçovë.
Top Channel