Një tjetër incident detar ka ndodhur gjatë natës në Adriatik. Një peshkarexhë dhe një velierë e vogël me flamur anglez janë përplasur në det të hapur.

Forcat e rojës bregdetare kanë organizuar një operacion kërkim-shpëtimi në det të hapur, por veliera me çift anglez në bord është tërhequr nga vetë anija e peshkimit. Mësohet se as peshkatarët dhe as dy shtetasit anglezë, një çift, që ndodheshin në bordin e velierës “Moon Child” nuk kanë pësuar dëmtime përveç tronditjes nga përplasja.

Veliera me port regjistrimi Liverpulin ishte nisur nga Korfuzi dhe po lundronte drejt Malit të Zi kur është përplasur me peshkarexhën “Perëndesha”. Pas goditjes, kapiteni i peshkarexhës ka njoftuar dispeçerinë e peshkimit për ngjarjen dhe më tej është njoftuar QNOD.

Paraprakisht deklarohet se ngjarja ka ndodhur rreth 15 milje larg bregut. Veliera është përplasur në pjesën e bashit me peshkarexhën që kishte dalë për gjueti në det. Për pasojë kanë pësuar dëme të dyja mjetet. Velierës i është këputur dhe direku. Në pritje të ndihmës, peshkarexha “Perëndesha” me 5 anëtarë në bord e ka tërhequr velierën drejt portit të Durrësit ku pritet të qartësohen edhe detajet e këtij aksidenti detar në një hapësirë ujore ku trafiku nuk është i rënduar.

Brenda më pak se 24 orëve ky është incidenti i dytë detar. Një ditë më parë si rezultat i përplasjes nga trageti i linjës Durrës-Bari u mbyt anija e peshkimit “Elton I”, ndërsa policia kufitare shpëtoi nga mbytja ekuipazhin e saj që arriti të përdorë mjetin e shpëtimit që kishin në anije, pak çaste para fundosjes së peshkarexhës.

FOTO GALERI
1/3
Dëmi nga goditja që ka pësuar peshkarexha

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA