Tenderat e ilaçeve/ Qeveria e Kosovës kërkon shkarkimin e anëtares së bordit të OSHP

11/05/2023 12:24

Qeveria e Kosovës i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi.

Kjo e fundit kishte rekomanduar që Ministria e Shëndetësisë të nënshkruante kontratë për dhënien e tenderit për insulinat një kompanie që nuk ka certifikatë të cilësisë.

Sipas kreut të ekzekutivit vendimi i OShP-së po e rrezikon shëndetin publik.

“Shëndeti publik po rrezikohet me vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) për furnizimin me insulina. Bazuar në vendimin në fjalë, lejohet importi i insulinave pa autorizim marketingu, e cila shpie direkt tek rrezikimi i shëndetit të qytetarëve tanë që kanë nevojë për trajtim me insulinë“, tha Kurti.

Në anën tjetër, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia thotë që nuk e nënshkruan një gjë të tillë, megjithatë shpreh drojën se vendimi i cili është në Prokurori e rrezikon edhe furnizimin me insulina.

“Natyrisht se ne edhe më herët i kemi marr të gjitha masat dhe do t’i marrim në mënyrë që qytetarët në mos mbesin pa insulina”, tha Vitia.

Tenderi është hapur në fund të vitit 2020 dhe kompania që e ka fituar atë nuk ka certifikatë të cilësisë, sigurisë dhe efikasitetit. Përkundër kësaj, bordi i OShP-së ka nxjerrë një vendim ku i kërkon Ministrisë së shëndetësisë të nënshkruaj kontratën me kompaninë në fjalë, përkundër mungesave në dokumentacion.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA