Për votimet e 14 majit nuk ka kaluar në gatishmëri vetëm Policia e Shtetit, por edhe Prokuroria.
Gjatë një interviste për TCH, numri një i akuzës Olsian Çela shpjegoi se ka urdhëruar shërbim të përforcuar dhe prezencë të prokurorëve në terren deri sa Komisioni Qendror i zgjedhjeve të shpallë rezultatin përfundimtar.
“Ka një udhëzim të përgjithshëm që rregullon gjithë procesin zgjedhor sa i përket aktivitetit të Prokurorisë. Prokuroritë gjatë gjithë fushatës zgjedhore kanë një nivel tjetër të gatishmërisë së si ato angazhohen sa i përket çështjeve që lidhen me vepra penale që lidhen me zgjedhjet. U kemi kërkuar të gjitha prokurorive të rretheve gjyqësore që të tregojnë një praktivitet të shtuar përgjatë gjithë kësaj faze çka do të thotë një rritje bashkëpunimi me të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese, së dyti kërkon një angazhim maksimal të prokurorëve duke prioretizuar padiskutim çështje që lidhen me fushën e zgjedhjeve”, tha Çela.
Sipas kësaj qarkoreje prokurorët urdhërohen të mbikëqyrin drejtpërdrejtë hetimet dhe të përdorin mjete të posaçme për çdo kallëzim ku pretendohet cenimi i zgjedhjeve të lira.
A ka denoncime nga subjektet politike në prokuroritë e rretheve zgjedhore dhe a ia keni deleguar SPAK-ut?
“Ne kemi një grup pune në Prokurorinë e Përgjithshme, i cili angazhohet në një koordinim të veprimtarisë të të gjitha prokurorive sa i përket përpunimit të informacionit që lidhet me proceset që nisin në kuadër të zgjedhjeve. Pa diskutim që këtu janë të dhëna të cilat updatohen në vazhdim dhe do t’i bëjmë të ditura publikut qoftë në lidhje me natyrën e veprave penale apo për ato të cilat i kalojnë për kompetencë prokurorisë së posaçme. Megjithatë është ende herët për t’ja bërë të ditura medias apo publikut”, shtoi Çela.
Top Channel