Pas përleshjeve masive, gjykata në Pakistan urdhëron lirimin e menjëhershëm të Imran Khan (fotot)

11/05/2023 18:01

Gjykata e Lartë vendosi sot se arrestimi i ish-kryeministrit Khan për çështjen e korrupsionit ishte ilegal.

Gjykata e lartë e Pakistanit ka urdhëruar sot lirimin e menjëhershëm të ish-kryeministrit  Imran Khan pas protestave masive që kanë shpërthyer në vend pas arrestimit të tij një ditë më parë në gjykatë.

Në vendimin e sotëm gjykata tha se gjithsesi kreu i partisë nacionaliste Pakistan Tehreek-e-Insaf (PTI) duhet të mbetet nën mbrojtjen e policisë në impjantin në Islamabad.

Gjykatësi Umar Ata Bandial kërkoi lirimin e Khan nga kompleksi i gjykatës së Islamabad dhe gjithashtu i bëri thirrje mbështetësve të tij në të gjithë vendin të ruajnë qetësinë pas protestave masive në thuajse të gjithë vendin.

Urdhri i lirimit vjen pasi përfaqësuesit ligjorë të Khan ankimuan arrestimin, i cili shkaktoi protesta të dhunshme që detyruan qeverinë të dislokojë ushtrinë për të rivendosur rendin.

Mbështetësit e Khan shiheshin të brohorisnin sot jashtë ndërtesës së gjykatës pas vendimit dhe planifikime celebrimi po bëheshin në qytete të tjera të vendit, shkruanin mediat vendase.

Protestuesit dje sulmuan stabilimente ushtarake dhe dogjën ndërtesa qeveritare. Tensionet mbeten sërish të larta teksa trupa ushtarake e paraushtarake qendrojnë në rrugët e qyteteve.

Nuk ka të dhëna të sakta për viktima ose të plagosur ndërsa rrjetet celulare dhe ato sociale janë ndërprerë në kater provinca të vendit për të parandaluar organizimet e trazirave.

FOTO GALERI
1/3
Gjykata e Lartë vendosi sot se arrestimi i ish-kryeministrit Khan për çështjen e korrupsionit ishte ilegal.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA