Lajçak: Mes Kosovës dhe Serbisë do të ketë normalizim të marrëdhënieve ose përplasje

11/05/2023 19:51

Vizita e së enjtes e çoi emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, në Mitrovicë.

Nga jugu në veri Miroslav Lajçak kaloi në këmbë urën e bllokuar që ndanë qytetin.

I dërguari evropian hapjen e urës për qarkullim e sheh vetëm në rast të rritjes së stabilitetit.

“Ura e Mitrovicës ka qenë pjesë e dialogut prandaj unë mendoj që vendimi për hapjen duhet në dialog. Gjithçka është në dorën e të dy palëve. Ata duhet të merren vesh por unë dua që hapja e urës të jetë kontribut për stabilitet të madh e jo për destabilitet të madh.”– tha Lajçak.

Në veri të Mitrovicës ai takoi shoqërinë civile për t’u njohur nga afër me situatën, derisa u shpreh se nuk pret asgjë në këtë aspekt nga kryetarët e rinj të zgjedhur.

“Kam vetëm një pritje, që të mos ketë përshkallëzim të situatës. Kjo do të thotë që përfaqësuesit politik me të cilët po flasim duhet të gjejnë një zgjidhje.“- tha Lajçak.

Në Jug të Mitrovicës, emisarin e priti kryetari i komunës Bedri Hamza që njoftoi se pjesë e diskutimit, padyshim ishte ura dhe asociacioni.

Miroslav Lajçak takoi edhe Listën Serbe të cilët thanë se e njoftuan të dërguarin se serbët nuk i njohin kryetarët e dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, duke kërkuar edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Gjatë së martës, i dërguari evropian takoi edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin. Derisa u shpreh qe u diskutua për asociacionin, emisari tha se kjo mund të sjellë konfrontim ose stabilizim mes Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë kreu i ekzekutivit, Albin Kurti u shpreh se Kosova është në rrugën drejt normalizimit.

“Mund të kemi normalizim ose konfrontim dhe ne duam të fokusohemi tërësisht në normalizim, prandaj duam të evitojmë cdo përshkallëzim ose konfrontim. Nuk është në interesin e askujt.”- tha Lajçak.

Të premten, Miroslav Lajçak shkon ne Beograd me qëllim përcaktimin e hapave të ardhshëm në dialogun Kosovë-Serbi.

Të hënën pritet takim në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve, Besnik Bislimit nga pala kosovare dhe Petar Petkoviq nga pala serbe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA