Lajçak: Mes Kosovës dhe Serbisë do të ketë normalizim të marrëdhënieve ose konfrontim

11/05/2023 10:07

Vizita e së enjtes e çoi emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun në Mitrovicë.

Nga jugu në veri Miroslav Lajçak kaloi në këmbë urën e bllokuar që ndanë qytetin. I dërguari evropian hapjen e urës për qarkullim e sheh vetëm në rast të rritjes së stabilitetit.

“Ura e Mitrovicës ka qenë pjesë e dialogut prandaj unë mendoj që vendimi për hapjen duhet në dialog. Gjithçka është në dorën e të dy palëve. Ata duhet të merren vesh por unë dua që hapja e urës të jetë kontribut për stabilitet të madh e jo për destabilitet të madh”, tha Lajçak.

Në veri të Mitrovicës ai takoi shoqërinë civile për t’u njohur nga afër me situatën, derisa u shpreh se nuk pret asgjë në këtë aspekt nga kryetarët e rinj të zgjedhur.

“Kam vetëm një pritje, që të mos ketë përshkallëzim të situatës. Kjo do të thotë që përfaqësuesit politik me të cilët po flasim duhet të gjejnë një zgjidhje”, tha Lajçak.

Në Jug të Mitrovicës, emisarin e priti kryetari i komunës Bedri Hamza që njoftoi se pjesë e diskutimit, padyshim ishte ura dhe asociacioni.

Gjatë së martës, i dërguari evropian takoi edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin. Derisa u shpreh qe u diskutua për asociacionin, emisari u shpreh se kjo mund të sjellë konfrontim por edhe stabilizim mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mund të kemi normalizim ose përballje dhe ne duam të fokusohemi tërësisht në normalizim, prandaj duam të evitojmë çdo përshkallëzim ose konfrontim. Nuk është në interesin e askujt”, tha Lajçak.

Miroslav Lajçak takohet edhe me Listën Serbe e të premten shkon ne Beograd me qëllim përcaktimin e hapave të ardhshëm në dialogun Kosovë-Serbi.

Të hënën pritet takim në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve, Besnik Bislimit nga pala kosovare dhe Petar Petkoviç nga pala serbe.

Top Channel