Këlliçi me banorët e njësisë 9: Dilni masivisht në zgjedhje, votat i mbrojmë ne! Ndryshimi në duart tuaja

11/05/2023 11:48

Kandidati i “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Tiranë, Belind Këlliçi takoi sot banorët e Njësisë Nr.9 në kryeqytet, teksa fushata zgjedhore ndodhet në ditët e fundit.

Tirana lëngon nga problemet ekonomike, sociale dhe infrastrukturore, u shpreh Këlliçi gjatë fjalës së tij.

“Të jesh në zemër të Tiranës, të jesh te Njësia.nr.9, të jesh këtu të flasësh për mungesë uji të pijshëm, për mungesë të rrugëve, për mungesë të hapësirave të gjelbërta, për mungesë të çerdheve, kopshteve dhe shkollave, që e keni një problem në njësinë nr.9, kjo është e patolerueshme. Tirana lëngon nga ana ekonomike, fshati i Tiranës është i lënë në harresë. Qytetarët e Tiranës kanë nevojë bazike për çështjet më elementare që ka një qytetar, për ujin e pijshëm. Në lagjen tuaj, ju paguani tre herë për ujin e pijshëm: paguani UKT-n për ujin që sjell në rubinet, që nuk e pini”.

Këlliçi foli për prioritetet e programit të tij, duke theksuar premtimin për autobus falas. Sipas tij, ky premtim ka pasur ndikim të gjerë te qytetarët e Tiranës, duke i siguruar ata se pas 14 majit autobusi falas do të jetë realitet.

“A e kuptoni ju çfarë impakti ka pasur propozimi im për autobusin falas në qytet?! E përdorin 200 mijë qytetarë në ditë, kushton 16.5 milionë euro në vit. Dhe këta që harxhojnë 430 milionë euro për inceneratorë fantazëm, çohen nga mëngjesi në darkë dhe thonë se ku do i gjejë Belindi paratë. Po kur paska 430 milionë euro për inceneratorë fantazëm, nuk paska 16.5 milionë euro për 200 mijë qytetarë në ditë?! Po pse janë mërzituar këta? Sepse kjo masë ndihmon të varfërit, ndihmon pensionistët, ndihmon studentët, ndihmon familjet në nevojë, ndihmon të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje ekonomike. Dhe çfarë bën, ulë koston e jetesës me 52 mijë lekë në muaj, i lë qytetarëve 52 mijë lekë më shumë në muaj në xhep, atyre që e përdorin”, tha Këlliçi.

Teksa foli për blerje vote dhe intimidim, kandidati u bëri thirrje qytetarëve të dalin të votojnë masivisht në 14 maj.

“Partia Demokratike padiskutim është në këmbë për të mbrojtur votën në datën 14 maj, në çdo komision, në çdo qendër votimi, në çdo zonë të Tiranës. Dilni votoni! Në datë 14 ne duhet të bëjmë të pamundurën që qytetarëve, bashkëqytetarëve tanë t`i themi: dilni votoni, merrni pjesë në proces, se jua garantoj që asnjë qytetar që del me qejf atë ditë nga shtëpia për të votuar, nuk shkon për të votuar Erion Veliajn, këtë ua garantoj”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA