Trageti Durrës-Bari e ka përplasur peshkarexhën gjatë lundrimit për në Bari dhe nuk ka vijuar sërish lundrimit pas incidentit.
Këtë e tregon trajektorja që ka bërë anija, e cila disa minuta më vonë është kthyer drejt vendngjarjes. Tre peshkatarët, të cilët ndodheshin në peshkarexhën e cila u përmbyt pas përplasjes kanë mbërritur shëndoshë e mirë në portin e Durrësit.
Ata janë kapiteni Selim Agasi dhe peshkatarët Klajdi Kaxhiu dhe Muhamet Elcapit, ky i fundit nga Egjipti, pjesë e kontingjentit të punonjësve që vijnë nga ky vend afrikan për të punuar në sektorin e peshkimit në Durrës.
Menjëherë ata u dërguan në spitalin e Durrësit, për të bërë kontrollet e nevojshme shëndetësore.
Ata i shpëtuan rrezikut të mbytjes, pasi në ndihmë i erdhën autoritetet portuale. Ngjarja ndodhi afër mesnatës, pranë fenerit, ndërsa alarmi u dha nga familjarë e shqetësuar të peshkatarëve, pasi kishin humbur kontaktet me ta.
Përplasja me një nga tragetet e linjës Durrës-Bari, shkaktoi çarje të peshkarexhës ndërsa peshkatarët, dy durrsakë dhe një egjiptian arritën të braktisin në kohë anijen ‘Elton 1”, që po fundoste në ujë, duke përdorur një zader, mjet i vogël shpëtimi.
Incidenti detar ka ndodhur rreth 4 milje larg portit të Durrësit, në hapësirën detare. Peshkarexha “Elton 1”, ka qenë duke u kthyer nga gjuetia, ndërsa trageti po lundronte drejt Barit. Të dyja palët kanë pretendime ndaj njëra-tjetrës, ndërsa pritet që hetimet të zbardhin më tej incidentin.
Top Channel