Tre persona kanë rënë në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim nga Policia e Elbasanit, për vepra të ndryshme penale.
Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se një shtetas serb, i identifikuar si S.M., 50-vjeç, është arrestuar pasi aksidentoi për vdekje në aksin “Qafë Thanë-Prrenjas” një shtetase gjermane. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme, ndërsa mësohet se viktima U.S., 56-vjeçe ishte duke drejtuar automjetin e shoqëruar nga një person, në momentin kur u godit nga kamioni me shofer shtetasin serb.
Si pasojë e këtij aksidenti, ka mbetur i dëmtuar edhe pasagjeri në këtë automjet, shtetasi P. K.
Po ashtu, specialistët në Komisariatin e Policisë Elbasan kanë arrestuar shtetasin Sh. M., 68 vjeç, pasi dyshohet se gjatë kohës që po kryente punime ndërtimi pa leje, në banesë, për shkak të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, ka rënë nga lartësia, punëtori që po kryente këto punime, shtetasi M. P., 40 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve.
I arrestuar nga blutë e Elbasanit është edhe një 27-vjeçar me iniciale R.H., si dhe është shpallur në kërkim shtetasi K. K., 25 vjeç, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar të vjedhin në një servis automjetesh.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme. Ndërkohë, vijojnë hetimet për arrestimin e 25-vjeçarit me inicialet K.K..
Top Channel