“100 mijë lekë është turp”/ Pazare për shit-blerje votash në Tiranë, në pranga 52-vjeçari, një tjetër nën hetim

10/05/2023 14:57

Pas incidenteve të ndodhura gjatë kësaj fushate zgjedhore në Fushë Arrës dhe Rrëshen, pak ditë para zgjedhjeve lokale shënohen krime zgjedhore në Tiranë dhe në Memaliaj.

Persona tashmë të identifikuar nga policia janë kapur duke kryer shit-blerje vote apo kanë kanosur për të mos marrë pjesë në zgjedhje.

Sektori kundër korrupsionit në Policinë e Tiranës ka vënë në pranga 51-vjeçarin Kristo Agalliu në zonën e Freskut pasi u kap duke negociuar në telefon për të shitur katër vota të familjes së tij kundrejt shumës 150 mijë lekë të vjetra.

51-vjeçari kërkonte t’i paguhej dhe karburanti për të shkuar deri në Kuçovë aty ku edhe do të votonte.

“100 mijë lekë është turp. Hajde t’ja marrim kot, por turp 100 mijë lekë. Po mirë t’i dy vota ke, unë kam katër vota. Po mirë unë kam makinë vetë, ç’e dua makinën e tij unë! Po të më hedhë karburantin ai… Thoji kështu, më dëgjo, i thuaj 100 mijë lekë dhe 50 mijë lekë naftë, hajde pazari i fundit”, ishte kjo biseda e Kristo Agalliut me Agron Durajt përmes telefonit.

Po ashtu Policia e Tiranës ka proceduar në gjendje të lirë dhe bashkëbiseduesin e tij Agron Duraj. Materialet për të dy personat kaluan në SPAK i cili do të thellojë hetimet për të parë nëse ka të implikuar në këto skema edhe funksionarë politikë.

Ndërsa në Memaliaj u referuan materialet në prokurori për Klodian Zaçen dhe Yzeir Hysenin pasi dyshohen për veprën penale të kanosjes apo dhunimit ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje. Dy të dyshuarit kanë nisur me fjalë për mospjesëmarrje në zgjedhje administratorin e njësisë Buz, Fatjon Isufi i cili kreu kallëzimin.

“Tiranë/ Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Premtuesi”.   Arrestohet në flagrancë një shtetas, si dhe procedohet penalisht një tjetër, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, komunikonin për shit-blerje votash për një subjekt politik.  Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e çdo paligjshmërie, bazuar në pamjet filmike të postuara në portale, në të cilat shfaqet një shtetas që komunikon për shit-blerje votash, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Premtuesi”. Si rezultat, u bë arrestimi i shtetasit K. A., 52 vjeç, banues në Tiranë, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. D., 61 vjeç, banues në Tiranë.  Këta shtetas janë shfaqur në një video, duke komunikuar me njëri-tjetrin, për shit-blerje votash për një subjekt politik.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA