Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë arrestuar në Greqi dhe Serbi, për vepra të ndryshme penale, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Si rezultat i bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe Interpol Athinën, u ekstradua nga Greqia drejt Shqipërisë 30-vjeçari shqiptar, i cili është dënuar me burg për trafikimin e lëndëve narkotike. Gjithashtu edhe për pjesëmarrje në grupet e strukturuara kriminale dhe kryerja e veprave penale nga organizatat ku bënte pjesë.
Si rezultat i bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe Interpol Beogradi, u ekstradua nga Serbia drejt Shqipërisë, 29-vjeçari Almario Vojoviç.
Ai është dënuar me tre vite burg për ndihmën që u ka dhënë emigrantëve për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufijtë dhe mbajtjen e armëve të ftohta.
Almario Vojoviç në vitin 2018 ka strehuar në banesën e tij dhe ka transportuar kundrejt pagesës, shtetas të huaj, për t’i ndihmuar që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.
Gjithashtu është ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë, 43-vjeçari Klodjan Hajderlli, pasi gjykata italiane e ka dënuar me tetë vite burg për lëndët narkotike. Autorit i kanë mbetur për të shlyer edhe pesë vite burg në shtetin e Italisë.
Njoftimi i plotë:
Interpol Tirana/Vijon bashkëpunimi me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
-Kapen në Greqi dhe në Serbi, falë shkëmbimit të informacioneve mes Interpol Tiranës dhe homologëve, dhe ekstradohen drejt Shqipërisë, 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
I ekstraduari nga Greqia, i akuzuar si pjesëtar i një grupi kriminal me aktivitet trafikimin e lëndëve narkotike, ndërsa i ekstraduari nga Serbia, i dënuar me 3 vjet burgim, për dy vepra të ndryshme penale.
-Gjithashtu, ekstradohet nga Shqipëria drejt Italisë, një shtetas i dënuar me 8 vjet burgim, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, në Itali.
Në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe homologëve, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, si rezultat i shkëmbimit të informacioneve me homologët grekë dhe serbë, janë kapur në Greqi dhe në Serbi dhe janë ekstraduar drejt Shqipërisë, 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
-Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Athinën, u ekstradua nga Greqia drejt Shqipërisë, shtetasi shqiptar K. R., 30 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, në vitin 2019, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Shtetasi K. R. ka qenë pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
-Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Beogradin, u ekstradua nga Serbia drejt Shqipërisë, shtetasi Almario Vojoviç, 29 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve’’ dhe me 1 vit tjetër burgim, për veprën penale ‘’Mbajtja pa leje e armëve të ftohta’’. Shtetasi Almario Vojoviç, në vitin 2018, ka strehuar në banesën e tij dhe ka transportuar kundrejt pagesës, shtetas të huaj, për t’i ndihmuar që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu, ky shtetas ka mbajtur pa lejen përkatëse, në ambiente publike, një dorezë metalike (përforcues grushti), e klasifikuar si armë e ftohtë.
-Gjithashtu, është ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë, shtetasi Klodjan Hajderlli, 43 vjeç, banues në Elbasan, i arrestuar më parë nga shërbimet e DVP Elbasan, për këtë qëllim. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, në muajin mars të vitit 2022, pasi autoritetet gjyqësore italiane e kanë dënuar me 8 vjet burgim për veprën penale “Shkelja e ligjit mbi narkotikët ”, nga të cilat i kanë mbetur për të kryer edhe 5 vjet.
Top Channel