Gruaja që shkroi ‘librin e dhimbjes’ pas vdekjes së bashkëshortit akuzohet për vrasjen e tij në SHBA (fotot)

09/05/2023 21:29

Një e ve nga Utah në SHBA, e cila shkroi një ‘libër dhimbjeje’ për fëmijët pas vdekjes së bashkëshortit të saj, është akuzuar së fundmi për vrasjen e tij, njoftojnë autoritetet.

Nëna e tre fëmijëve, 33 vjeçarja Kouri Darden Richins, u arrestua sot me akuzat e helmimit të bashkëshortit të saj Eric Richins, në shtëpinë e tyre në Kamas më 4 mars 2022, shkruan rrjeti lokal KUTV report.

Ajo akuzohet për vrasje në kushte të rënduara dhe zotërim të substancave të kontrolluara me qëllim shpërndarjen, thanë zyrtarët.

Policia kishte ardhur në shtëpinë e familjes rreth orës 3:20 të mëngjesit natën e vdekjes së Eric, kur e gjetën ate në krevat.

“Aplikuam masat për shpëtimin e jetës por fatkeqësisht Eric u shpall i vdekur,” sipas dokumenteve gjyqësore të cituara nga KSL-TV.

Kouri i tha asokohe policisë se i kishte bërë bashkëshortit një pije të përzier me vodka dhe ia kishte çuar në krevat, për të festuar një shitje që ai kishte bërë.

Kouri tha se më pas ai kishte rënë në gjumë ndërsa ajo ishte kthyer në dhomë më vonë gjatë natës, kur e kishte gjetur të ftohtë, dhe kishte thirrur shërbimet e emergjencës.

Por autopsia zbuloi se Eric kishte vdekur nga një overdozë fentanili, me një masë në trupin e tij që ishte pesë herë më e lartë se ajo që nevojitet për të shkaktuar vdekjen, tha mjekësia ligjore.

Në hetimet e saj policia tha se pas marrjes së një mandati kontrolli për Kouri, zbuloi në celularin e kompjuterët e saj komunikime të shumta mes saj dhe një pale të paemëruar në lidhje me trafik narkotikësh e drogash.

Kouri tha se kishte kërkuar “mjekime dhimbjeje për një nga klientët e saj” në shkurt 2022, me të cilin ishte takuar në shtëpi.

Më 14 shkurt 2022, çifti kishte organizuar një darkë Shën Valentini në shtëpi, por Eric “ishte ndjerë shumë sëmurë,” sipas dokumenteve të cituara nga KUTV.

Oficerët në dokumente shtonin se “Eric besonte se po helmohej. Ai i kishte thënë një miku të tij se bashkëshortja po përpiqej ta helmonte”.

I njohuri i Kouri tha në dëshminë e tij se gruaja i kishte kërkuar “diçka më të forta, të tipit Michael Jackson,’” ose më saktë, fentanil, thuhet në dokumente.

Më 26 shkurt 2022, i njohuri i solli gruas 15 deri në 30 tableta fentanil nga një shpërndarës në Ogden, Utah, të cilat ia shiti Kouri në shtëpi për $900, thonë zyrtarët.

Disa ditë më vonë Eric u gjet i vdekur.

Kouri më vonë shkroi librin “Are You With Me?” (A je me mua?) për të ndihmuar fëmijët të përballonin vdekjen e të atit, të cilin e kishte promovuar në një program televiziv.

Në libër Kouri shkruan: “Dedikuar bashkëshortit tim të mrekullueshëm dhe babait të shkëlqyer”.

Sipas nekrologjisë, çifti ishin martuar prej nëntë vjetësh dhe kishin tre fëmijë.

Gjyqi vazhdon.

FOTO GALERI
1/6
Bashkeshortja e akuzuar per vrasje duke promovuar librin e hipokrizise ne TV

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA