Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha ka sfiduar kryeministrin Edi Rama sa i përket rritjes së pagave, duke i ofruar atij mbështetje për miratimin e tyre në parlament.
Të majtën e prisnin në sallën e gjyqit, por Sali Berisha u shfaq ne foltoren e tij për të sfiduar socialistët të takohen në një tjetër godinë, atë të Parlamentit. Edhe pse ditën kur Edi Rama lançoi rritjen e pagave dhe pensioneve e kundërshtoi, Sali Berisha ka ndryshuar mendim dhe kërkon që ligji të kalojë me emergjence në Kuvend, vetëm tri ditë para se shqiptarët ti drejtohen kutive të votimit.
“Paraqiti në parlament një ligj ku parashikohej rritja e rrogës mesatare 900 euro. E vërteta është se ligjin e bllokoi vetë në parlament me një marrëveshje të turpshme me Alibashën, mbylli parlamentin dhe këtë e bëri vetëm e vetëm pse ai premtim ishte një mashtrim. Unë jam këtu sot në emër të qytetarëve shqiptarë, të ftoj të mbledhim me urgjencë ditën e enjte parlamentin dhe të votojmë ligjin për rritjen e rrogave dhe pensioneve”.
Pothuaj në çdo miting elektoral, Berisha e ka sulmuar kundërshtarin e tij politik për rritjen e pagave, e Ramës, me argumentin se vendimi i tij rrit inflacionin dhe falimenton banka e biznese, por sot kreu i Rithemelimit surprizoi duke deklaruar votën e tij pro nismës së qeverisë.
“Ndaj i them Edi Ramës, bëhu njëherë njeri me ndjenja për qytetarët dhe hajde të votojmë ligjin për rritjen e rrogave, përgjigju ofertës sonë që nuk ka për synim bashkëpunimin me ty, se ti e ke faktuar veten një armik të interesave të shqiptarëve, por ka për qëllim mbështetjen e qytetarëve shqiptarë. Pra, e enjtja është një ditë prove për të vërtetën e këtij premtimi dhe unë i garantoj shqiptarët se të gjithë votat tona do shkojnë për ligjin e rritjes së rrogave dhe pensioneve”.
Ligji i pagave po pret në sirtaret e Kuvendit, por mesa duket plani i socialistëve është ta kalojnë në seancë plenare pas zgjedhjeve për të shmangur çdo akuzë që rritja po behet për qëllime elektorale.
Top Channel