Veliaj takim me sportistë të xhudos: Gati të nisim punë me stadiumin ‘Selman Stermasi’ dhe Pallatin e Sportit ‘Asllan Rusi’

07/05/2023 21:29

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Financave, Delina Ibrahimi dhe ministren e Kulturës, Elva Margariti zhvilloi një takim me sportistë në disiplinën e xhudos, medalistë olimpikë ndërkombëtarë, dhe dashamirës të sporteve te fushat e reja të tenisit në Parkun e Liqenit.

Në fjalën e tij, Veliaj kujtoi se vetëm pak vite më parë, Parku i Liqenit ishte një hapësirë e zaptuar dhe e degraduar, por tashmë është vendi më i frekuentuar nga qytetarët dhe ata që merren me sport. “Kur shoh liqenin më kujtohen disa nga historitë më të bukura, por edhe më të hidhura të punë sime në bashki. Imagjinoni, ca njerëz u lidhën me zinxhirë dhe morën pistoletën me vete për të ndaluar këndin e lodrave, që ai fëmija që po luan atje të mos gëzonte. Këtu ishte një hapësirë me ferra, një tokë e zaptuar. Kur kujtoj anën tjetër të liqenit, ku digjej plastikë, mblidheshin sustat, skaldabanjot, lavatriçet, frigoriferë, divane, kolltuqet, një zonë e kthyer në hedhurinë”, u shpreh Veliaj.

Por, ai tha se është dashur të bëhej “luftë” me kundërshtarët politikë të kohës, për ta rikthyer liqenin në hapësirën që është sot, si parku më i madh e funksional i Tiranës, me mjedise rikrijuese, fusha sportive e pista vrapi, fusha tenisi e plot hapësira të tjera, si Amfiteatri e ambiente për zhvillimin e aktiviteteve kulturore.

“Pyetja që kam është: Pse duhet luftuar kaq shumë për të bërë gjëra të bukura? Pse nuk veprojmë si në xhudo? Të tregojmë respekt për atë që ka fituar, ta gëzojë medaljen, ta lëmë të punojë dhe pastaj, do e kemi prapë mundësinë të ndeshemi. Por, kur shikoj si çliruam gjysmën e liqenit, si u çliruan fushat e tenisit, këndi i lojrave, si u bë Amfiteatri, do të thotë se kur ne shqiptarët duam, ne mundemi; kur ne shqiptarët e ndajmë mendjen ta bëjmë një punë siç duhet, ne mund t’i çojmë gjërat përpara”, deklaroi Veliaj.

Ai tha se Bashkia e Tiranës do të vijojë të mbështesë sportin, ndërsa foli edhe për tre investimet e mëdha. “Mezi pres që te stadiumi ‘Selman Stermasi’ të bëjmë të njëjtën gjë që bëmë tek ‘Arena Kombëtare’, të kemi një stadium me salla stërvitje, por të ketë edhe aktivitet ekonomik, t’i japim Njësisë 5 një stadium të ri, një hapësirë të re për sportin, por mbi të gjitha, edhe një hapësirë për ekonominë e qytetit. Te Pallati i Sportit ‘Asllan Rusi’, do kemi një tjetër projekt sepse edhe Pallati i Lojrave me dorë meriton një ndërhyrje. Projekti ynë i fundit është kompleksi ‘Dajti’”, u shpreh Veliaj.

“Mbështetja që Bashkia e Tiranës dhe qeveria shqiptare i kanë dhënë sportit është e dukshme. Ne sot kemi fushat e tenisit, që dikur nuk ishin në këtë standard dhe shumë pak të aksesueshme. Ne kishim fusha futbolli, si ato që kemi këtu te Njësia 5, te Kompleksi Dinamo, por nuk ishin publike”, u shpreh Ibrahimi.

Me Erionin kemi bërë shumë për sportin. Vërtet merita është e juaja, që e keni çuar emrin e sportit në botë, por merita më e madhe që sot Tirana është Qyteti Europian i Sportit është patjetër e Erionit. Erioni ka ditur vërtet ta sjellë kryeqytetin në dimensionin më europian, me atë dinjitetin e shqiptarëve që asnjëherë nuk kanë ecur kokëulur, por që kanë ditur që janë fisnik, edhe që kanë përballuar vështirësi”, u shpreh Margariti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA