Egnatia nuk “fal” Bylisin në shtëpi, Vllaznisë i “rrëshket” fitorja në fundin e ndeshjes

06/05/2023 16:30

Vllaznia nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 në Elbasan Arena ndaj Kastriotit. Në pjesën e parë ishte talenti i shkodranëve, Mehdi Çoba i cili zhbllokoi shifrat në minutën e 42-të të pjesës së parë teksa shfrytëzoi një aksion të Latifit nga e majta.

Por, Kastrioti reagoi menjëherë teksa pas vetëm dy minutash fituan një penallti pas një kontakti në zonë mes Juric dhe Reginaldos. Mbrojtësi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë duke lënë të tijtë në inferioritet numerik teksa nga ana tjetër, sulmuesi nga Mozambiku nga pika e bardhë u tregua i saktë dhe riktheu baraspeshën.

Fraksioni i dyti nisi në mënyrë perfekte për shkodranët që u rikthyen në avantazh me anë të Kainas. Kur dukej se ndeshja do të mbyllej me fitoren e kuqebluve, Redon Mihana befasoi kuqeblutë në minutën e 91-të duke i dhuruar një pikë shprese Kastriotit. Pas kësaj ndeshje, Vllaznia renditet në vendin e katërt me 43 pikë ndërsa nga ana tjetër, Kastrioti mbetet në vendin e fundit me 32 pikë.

Në ndeshjen tjetër, Egnatia mposhti Bylisin me shifrat 2-0. Miqtë mbeten me 10 lojtarë në pjesën e parë pasi Macolli koleksionoi dy kartonë të verdhë. Avantazhin numerik e shfrytëzoi në maksimum skuadra rrogozhinase që në fraksionin e dytë gjeti dy herë rrugën e rrjetës. Fillimisht me Malotën në minutën e 59-të ndërsa më pas në të 77-tën me Kasën. Pas këtij suksesi, Egnatia blindon vendin e tretë me 49 pikë teksa Bylis mbetet në vendin e nëntë me 33 pikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA