Rama me premtime në Gjirokastër: Në 4 vitet e ardhshme, do të bëjmë katërfishin e punëve

05/05/2023 18:25

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama vazhdoi fushatën elektorale në Gjirokastër, ku kërkoi votën për kandidatin Flamur Golemi.

Duke folur për punët që janë bërë gjatë këtyre viteve, Rama premtoi më shumë investime për bashkinë Gjirokastër.

“Kur kam ardhur këtu dhe kam thënë, jepini Flamurit, Tërmetit, Almës, Klementit, Tolit mandatin dhe pastaj Gjolekës më pas, që të bëjmë edhe më shumë se ç’kemi bërë. Tani po ju them, dilni masivisht atje, jepuni gjithë këtyre djemve dhe asaj gruas nga Përmeti fuqinë tuaj dhe në 4 vitet e ardhshme do të bëjmë katërfishin e atyre që kemi bërë në të gjitha vitet që jemi duke punuar së bashku, sepse sot ky qark është i lidhur i gjithi. Sot nisesh për Tepelenë dhe zbret e del në detin Jon, në një udhëtim shumë të thjeshtë dhe anasjelltas. Sot kush vjen në Gjirokastër, nuk vjen më vetëm në Gjirokastër. Ka kaq shumë për të parë dhe për të bërë dhe ajo që duhet të bëjmë ne, është t’i mbajmë sa më gjatë, mos t’i lëshojmë”.

Sërish Rama nuk kurseu akuzat për Sali Berishën dhe Ilir Metën, të cilët në zgjedhje garojnë me koalicionin “Bashkë Fitojmë”.

“Si ka mundësi që këtu të ketë akoma shqiptarë që i thonë vetes të djathtë, i thonë vetes patriotë, i thonë vetes të persekutuar, nuk e di tjetër çfarë i thonë, që nuk e marrin në konsideratë këtë? Po mirë, çfarë do bëjmë ne? Do të turpërohemi në sytë e të gjithë miqve dhe partnerëve tanë se  Amerika e ka bërë me damkë në lule të ballit siç i vihen deleve ato numrat e matrikullimit, por BE qe nuk e ka këtë mekanizëm, të jeni të sigurtë dhe ju e shikoni, nuk ka më derë të hapur për Sa-Liken. Se janë bashkë! Një emër kanë! Sa-Like Floriri. Atëherë si i bëhet kësaj pune? Do t’i vëmë ne ata në pozitën që të thonë, ore po janë në vete këta? Ne u themi ,ore nuk duan ta shohin me sy këtë?  Këta prapë na e vënë para syve”.

Top Channel