Kreu i qeverisë Edi Rama ka deklaruar se ka pasur një ngërç me rritjen e pagave, megjithatë qytetarët do ta marrin vlerën shtesë të të ardhurave që nga prilli ashtu sikurse u ishte premtuar.
Gjatë një takimi elektoral, Rama sqaron se pavarësisht se ligji ndodhet tashmë në parlament, deputetët kanë bllokuar për disa javë procesin me qëllim që ta bindnin atë, që të rriste pagat edhe për ata dhe qeverinë. Mirëpo, kjo – sipas Ramës – nuk ka për të ndodhur, dhe se ata do të jenë kategoria e fundit që do të pësojnë rritje.
Kreu i qeverisë theksoi se edhe nëse rritja e pagave ndodh një apo dy muaj me vonesë nga ç’ishte parashikuar, në maji-qershor, ata do të marrin shtesën e pagës që nga prilli.
“Kanë dalë tani dhe thonë, “e shtyu Edi Rama rritjen e pagave”. Nuk kam shtyrë unë fare. E para njëherë, ne pagat e mjekëve të mësuesve dhe punonjësve të sigurisë janë rritur dhe rritjen për prillin ata e marrin tani në fillim të majit, siç ndahen.
E dyta, unë kam pasur një debat sepse për rritjen e të gjitha pagave të tjera duhet të bëhet ligji në parlament. Ligji tashmë është në parlament dhe unë kam pasur një debat, që qeverisë dhe deputetëve duhet t’iu rriten pagat të fundit fare. Dmth, vitin tjetër kur të mbarojë rritja për të gjithë, edhe deputetëve dhe qeverisë do t’i rriten pagat. Deputetët duan t’i rrisin tani, dhe u bllokua për disa javë kjo punë sepse donin të më bindnin mua. Nuk e di çfarë do të ndodhë, por kjo është arsyeja. Ama, të gjithë duhet ta dinë se edhe nëse rritja e pagave bëhet në maj, edhe nëse bëhet në qershor, të gjithë pagat do t’i marrin me të gjithë prillin dhe të gjithë majin”- tha Rama.
Top Channel