Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të sanksionuar individët e përfshirë në dhunën e fundit në Sudan që la qindra persona të vdekur.
Biden tha në një deklaratë se urdhri i tij do të mbajë individë përgjegjës për kërcënimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit të Sudanit, të cilat kanë sjellë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Ndër të tjera lideri amerikan shtoi se dhuna që po ndodh në Sudan është një tragjedi dhe tradhti e kërkesës së qartë të popullit sudanez për qeveri civile dhe një tranzicion drejt demokracisë.
Luftimet e Sudanit shpërthyen më 15 prill midis dy komandantëve të cilët 18 muaj më parë organizuan bashkërisht një grushtshteti ushtarak për të prishur tranzicionin e vendit drejt demokracisë.
Lufta për pushtet midis shefit të forcave të armatosura, gjeneral Abdel-Fattah Burhan, dhe kreut të grupit paraushtarak të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë, Gjeneral Mohammed Hamdan Dagalo ka bërë që mijëra sudanezë të zhvendosen.
Shumë shtete kanë nxituar të evakuojnë qytetarët e tyre nga Sudani, megjithëse miliona mbeten ende atje.
Konflikti ka vrarë të paktën 550 njerëz, përfshirë civilë dhe ka plagosur mijera të tjerë.
Mijëra punëtorë të OKB-së u evakuuan një javë pas fillimit të luftimeve dhe disa agjenci të OKB-së ndërprenë shërbimet e tyre. Programi Botëror i Ushqimit pezulloi operacionet pasi tre nga punonjësit u vranë në luftimet në jug të Sudanit.
Top Channel