Roland Bejko takim me banorët e Astirit: Do ju ndërtojmë shkolla e kopshte vetëm 15 minuta larg banesës

04/05/2023 17:24

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko zhvilloi një takim me banorët e Astirit. Në këtë takim Bejko u ndal te pikat e programit, në të cilat tha se angazhohet për ndërtimin e shkollave, kopshteve dhe çerdheve në këtë zonë e cila është lënë jashtë vëmendjes së Bashkisë dhe kryebashkiakut aktual Erion Veliaj.

Teksa dëgjoi shqetësimit e banorëve të cilët u shprehën se nuk kanë shkollë afër për të dërguar fëmijët, Bejko u shpjegoi se sipas programit që Partia Demokratike ka hartuar, edhe në këtë zonë do të ndërtohen shkolla, kopshte dhe çerdhe vetëm 15 minuta larg banesës së qytetarëve, njëjtë si standardet që kërkon Bashkimi Europian. Vetëm në zonën e Astirit jetojnë 70 mijë banorë dhe nuk ka asnjë shkollë për famijët.

“Ne kemi program që në çdo lagje do ketë një shkollë 15 min larg banesës së qytetarit, janë kriteret që ka vënë BE dhe ne do t’i zbatojmë. Kopësht, çerdhe, shkollë 15 minuta larg banesës. Që do të thotë s’do ketë më shkolla me 40 nxënës dhe s’do ketë më shkolla me dy dhe tre turne siç ndodh sot. Do të jetë priroritet i joni, i të gjitha prioriteteve. Se çështjet e edukimit janë ato që mbajnë një shoqëri në këmbë.

Një shkollë me të njëjtat parametra, më të njëjtin numër nxënësish dhe sipërfaqe, në Itali bën 3 mln euro, në Shqipërinë e Erion Velisë bën 5, 6 apo 7 milion euro, gati dyfishi i çmimit. Ne që se kemi mendjen të vjedhim dhe që s’jemi peng i oligarkëve që ta diktojnë ata se çfarë do të ndërtojmë, ku do ta ndërtojmë dhe me çfarë çmimi do ta ndërtojmë, jemi të çliruar nga këto ngarkesa. Kështu që do të punojmë për qytetarët dhe qytetin tonë”, tha Bejko.

Kandidati demokrat u ndal edhe në raportin e AMA-s për monitorimin e mediave gjatë fushatës zgjedhore. Bejko tha se mediat po i japin Berishës kohën televizive që i takon me ligj Partisë Demokratike.

“Sapo u publikua edhe raporti i AMA, agjencia që merret me monitorimin e medias, dhe na doli që Foltorja, pra Berisha ka marrë gjithë kohën televizive në të gjitha mediat. Ja ka kaluar edhe Ramës, se Rama ia ja vënë në dispozicion. Nga mëngjesi deri në darkë rri na akuzon ne si bashkëpunëtorë të Ramës dhe Veliajt dhe nga ana tjetër faktet flasin vetë. Neve na takon koha televizive me ligj, kohën tonë televizive e merr Foltorja. Prandaj kjo më motivin edhe më shumë për të luftuar kundër oligarikisë politike, mediatike, financiare se këto janë bërë një botë që nuk lënë hapësirë për asnjë tjetër. Janë bërë një trup dhe kanë pushtuar gjithcka, kanë marrë tiranën, kanë marrë ekonominë, kanë marrë politikën, kanë marrë mediat, po na marrin pronat”, tha Bejko.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA