Në Konventën Ndërkombëtare të Turizmit, bashkëorganizuar për herë të parë në Ballkan me Organizatën Botërore të Turizmit, ishte i pranishëm dhe kryebashkiaku Erion Veliaj i cili shprehu krenarinë e tij për organizimin e këtij aktiviteti në kryeqytetin shqiptar.
“Mezi pres që nga ky organizim, të kemi një eksperiencë se si mund të ndajmë së bashku paketën turistike, si mund të vizitojmë njeri-tjetrin më shumë, se si përpara se të mikpresim botën, të sigurohemi që mikpresim njëri – tjetrin dhe i hapim dyert njëri-tjetrin”- tha Veliaj.
Veliaj listoi edhe arsyet që kanë çuar në numrin e lartë të turistëve në Tiranë.
“Tirana këtë vit është Qyteti Evropian i Sportit, vjet ishte Kryeqyteti Evropian i Rinisë. E shfrytëzuam këtë mundësi për të sjellë sa më shumë aktivitete, për të prodhuar ekonomi e për t’u siguruar që imazhi i vendit dhe rajonit tonë lartësohet për t’u bërë tërheqës për vende të tjera. Sot jemi në një situatë ku politikat tona të transportit, siç ka qenë ndërtimi i aeroporteve të reja, ulja e tarifave në aeroportin tonë, apo hapja ndaj tregjeve të ndryshme, siç mund të jetë vendet e Egjeut apo Azia, ka prodhuar politika që kanë sjellë një numër të konsiderueshëm turistësh në vendin që dikur ka qenë më i izoluari në Europë”- tha Veliaj.
Gjatë ditës Veliaj zhvilloi takim edhe me kryebashkiakun e Bergamos Giorgio Gori me të cilin diskutoi mbi bashkëpunimin mes dy qyteteve për aktivitete të ndryshme sportive dhe kulturore.
Top Channel