Mjekët e familjes me diplomë specializimi i kanë drejtuar me një letër ankesë kryeministrit të vendit, Edi Rama, në lidhje me shtesën e pagës, që sipas VKM do të ishte 45 mijë lekë të reja dhe në fakt me ketë vlerë u mbërriti edhe udhëzimi i Ministrisë së Shëndetësisë.
Por nën presionin e mjekëve të familjes pa diplomë dhe që nuk e përfitonin shtesën në këtë masë, Ministria e Shëndetësisë tërhiqet, duke tejkaluar vendimin e Këshillit të Ministrave dhe duke mohuar udhëzimin e mëparshëm, e duke i përcaktuar mjekëve një shpërblim prej vetëm 15 mijë lekë të reja.
Ky është udhëzimi që mbërriti në qendrat shëndetësore ku përcaktohej, bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, që mjekët me diplomë specializimi do të përfitonin shtesë pagë 45 mijë lekë të reja. Ky vendim mban datën 24 prill, pra vetëm pak ditë pasi doli vendimi i Këshillit të Ministrave.
Por kjo rritje nuk vlente për mjekët e familjes të cilët e kanë ofruar këtë shërbim për mbi 10 apo 30 vite, por që nuk kanë diplomë specializimi pasi në kohë kur ata kanë përfunduar studimet për mjekësi nuk ka pasur specializime. Sindikata e punonjësve të shëndetësisë e kundërshtoi këtë diferencim të vlerësimit.
Mjekët që nuk e përfitonin këtë shtesë dhe që janë shumica deklaruan se do të zhvillonin protesta. Kjo bëri që Ministria e Shëndetësisë të tërhiqej, duke cenuar rritjen e pagës edhe mjekëve me specializim që duhej ta përfitonin. Duke anashkaluar udhëzimet e mëparshme 4 ditë me vonë dërgon një tjetër udhëzim ku përcaktohej se mjekët me diplomë specializimi do të kishin një shtesë page prej 15 mijë lekë.
Një tjetër diferencim është bërë edhe ndërmjet mjekëve pediatër të cilët kanë specializim. Një mjek pediatër që ofron shërbim në konsultore përfiton 45 mijë lekë ndërsa një mjek pediatër që ofron shërbim në qendër shëndetësore do të trajtohet me 15 mijë lekë shtesë.
Mjekët e familjes e konsiderojnë fyerje dhe mospërfillje të diplomës që kanë marrë në Fakultetin e Mjekësisë. Ata deklarojnë se do t’i drejtohen Gjykatës Administrative.
Top Channel