Qeveria kërkon te zhvillojë tregun e kapitaleve në mënyrë që kompanitë të kenë mundësi të mbledhin me shume fonde ne treg dhe të diversifikojnë portofolet e tyre, ndërsa investitorët kanë një mundësi te re për të rritur të ardhurat e tyre përveç metodave tradicionale si investimi në depozita dhe financimin e borxhit qeveritar.
Pas vitesh pune gjithçka është bërë gati për listimin e një kompanie të parë private. Rregullatori financiar ka miratuar prospektin e kompanisë që kërkon 500 milionë lekë në tregjet e kapitalit.
Bursa ka tre tregje, ndërsa të gjitha ofertat nga kompanitë janë të detyrueshme për tu bërë publike. I pari treg është ai hyrës, ku mund të listohen kompanitë e llojit start up apo ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ku kërkohen vetëm pasqyra financiare, i dyti është tregu standart ku nevojitet një kapital minimal prej 65 milionë lekësh dhe që kompania të dalë me fitim në vitin e fundit, ndërsa i treti është tregu kryesor ku kompanitë duhet të kenë një kapital minimal prej 130 milionë lekësh dhe rezultat financiar pozitiv në dy vitet e fundit.
Kompania e parë private që do të listohet në bursë do të futet në tregun standard. Individët dhe institucionet financiare që do blejnë titujt, do të marrin mbrapsht edhe një normë interesi përveç shumës së investuar. Në këtë mënyrë bursa kthehet në një alternativë të re për të investuar paratë.
Tashmë opsionet janë për të investuar në bonot e thesarit ose obligacione disavjeçare. Një tjetër alternativë janë fondet e pensionit, shoqëritë e investimeve ose depozita bankare, ku normat e kthimit janë më të ulëta, por rreziqet më të ulëta.
Të gjitha transaksionet e zhvilluara në bursë do të regjistrohen në një institucion tjetër që quhet Depozitari i Titujve ALREG, i cili bën edhe klerimin e transaksioneve.
Kompanitë mund të zgjedhin të listohen nëpërmjet obligacioneve, letrave me vlerë ose aksioneve. Ato vendosin kushtet e tyre të emetimit, si vlera minimale e investimi apo normat e kthimit, ndërsa secila duhet që fillimisht të ketë një prospekt financiar të miratuar nga autoriteti mbikëqyrjes financiare, ku investitorët do të kenë të gjithë informacionin e nevojshëm përpara se të marrin vendime për të investuar paratë e tyre.
Top Channel