Kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini e ka quajtur të shëmtuar e mashtruese Deklaratën për të Zhdukurit të miratuar gjatë takimit të djeshëm në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Gjatë një interviste për KosovaPress, Çerkini u shpreh se me këtë deklaratë vetëm sa do të ngecë tutje procesi dhe nuk do të ketë asnjë progres për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Sipas tij, ky dakordim shkon në favor të atyre që nuk duan t’i zbulojnë krimet e luftës në Kosovë përfshirë edhe çështjen e të pagjeturve.

Unë them se këto deklarata janë mashtruese edhe për të shtyrë procesin e personave të pagjetur qysh e kanë shtyrë plotë që 25 vite dhe kjo shkon në favor të atyre që nuk duan me i zbulua krimet e luftës në Kosovë edhe me i zbulua ata njerëz që ne i kërkojmë edhe 1617 veta. Pse nuk jam i kënaqur? Sepse nuk kanë dal me një plan-program të caktuar se grupet dialoguese duhet të fillojnë menjëherë pavarësisht politikës në pjesën humane dhe një pikë e veçantë për personat e pagjetur t’ua tregojnë kohën kur mundem me vazhdua punën që e kanë punuar deri tash e 25 vite”, theksoi ai.

Madje, kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini  nuk pret që kjo Deklaratë për personat e zhdukur e dakorduar mes palës kosovare dhe ajo serbe të zbatohet nga ana e Serbisë. Ai kërkon strategji konkrete për zbardhjen e fatit të mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Teksa ka shprehur pakënaqësitë karshi punës së ekzekutivit kosovar që po e bënë për zbardhjen e fatit për të pagjeturit, Çerkini thotë se Deklarata për personat e zhdukur e miratua dje në Bruksel nuk ka të caktuar as një afat kohor për zgjidhjen e kësaj çështje.

Duke e konsideruar këtë deklaratë si të mjerueshme, Çerkini kërkon që familjarët e personave të zhdukur të takohen me Grupin punues dhe ata që ishin pjesë e takimit të djeshëm në Bruksel. Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel të martën kanë nënshkruar deklaratën për të zhdukurit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në bazë të Deklaratës për personat e zhdukur palët janë zotuar se do të angazhohen:

– Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur,

– Për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe për të pasuar më pas gërmimet,

– Për të siguruar qasjen e plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen Personat e Zhdukur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet, dhe çdo dokument tjetër përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar, nën posedimin e institucioneve të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst,

– Për të vënë në dispozicion të gjitha dokumentet vendore dhe ndërkombëtarë me rëndësi për përcaktimin e fatit të Personave të Zhdukur, për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji tjera në zbulimin e varreve masive,

– Për të mundësuar dhe inkurajuar angazhimin aktiv të familjeve të Personave të Zhdukur në procesin e identifikimit të fatit të tyre,

– Për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe adresimin e nevojave të familjeve të Personave të Zhdukur etj.

Ndërkaq, në takimin e tyre është prezantuar edhe draft-statuti i Asociacionit nga ish-ekipi menaxhues, i cili sipas kryeministrit Kurti është i papranueshëm për Kosovën. Ndërkaq, gjatë ditës së sotme, Qeveria e Kosovës ka shkarkuar ekipin menaxhues që e ka hartuar draft-statutit e Asociacionit.

Top Channel