Rama, fushatë në Mat dhe Klos/ Kryeministri kërkon që të mos votohen kandidatët e kundërshtarëve

03/05/2023 15:15

Me Agon Malajn për një mandat të dytë, socialistët synojnë vijimin e qeverisjes lokale të Matit, nga ku kryesociaslisti Edi Rama, vijoi fushatën elektorale.

“E kanë propaganduar demokracinë si monopolin e tyre, duke i parë gjithë të tjerët si armiq, duke i trajtuar socialistët si komunistë, si persekutorë… Ata që për karrierë dhe për ambicien e tyre për pushtet ishin gati të bënin çdo gjë madje të ndërronin komplet edhe fytyrën, të ndërronin komplet dhe maskën. 

Dhe sot që ajo maskë është çjerrë jo nga ne por është çjerrë nga aleati më i madh strategjik i shqiptarëve dhe i Shqipërisë, SHBA, dhe është bërë një maskë e papërdorshme dhe e padëshiruar, jo vetëm në SHBA, por në gjithë Europën, është e pa konceptueshme dhe është e pakuptueshme sesi ka akoma njerëz të ndershëm për hir të së vërtetës, jo njerëz që janë të lidhur me interesa se ata unë nuk i quaj, ata janë thjeshtë parazitë që i shkojnë mbrapa për pushtet, por ka akoma njerëz të cilët i japin besim, i japin votë”, tha Rama.

“Do t’iu rrotullohen gjyshërit në varr, do t’iu dalin stërgjyshërit në ëndërr dhe do ju thonë “Çfarë më bërë o çun” kështu që në këtë moment, nderin e të djathtës mund ta shpëtojnë vetë gratë e të djathtëve”, shtoi ai.

Banorëve të Klosit Edi Rama u shpjegoi, përse nuk duhet të votojnë kandidatin e kundërshtar të socialistëve.

“Në Klos, ne nuk mund dot t’i imagjinonim këto gjëra më shpejt sesa të krijonim lidhjen dhe tani me 40 minuta lidhje me Tiranën e të kthehesh tek Bedriu është si me i thënë të ardhmes “Ik se unë po nisem mbrapsht në të shkuarën time”. Duhet t’i mbajmë larg nga Bashkia këta njerëz sepse duke futur Bedriun aty, do na shtyni ne larg, jo se nuk do duam ne, por si të bashkëpunosh me Bedriun? Bedriu nuk po shkon aty që të bëjë punë për ju se ai ishte më i ri dhe më energjik kur mund t’i bënte punët dhe bëri “Noc Rrokun”. Imagjino Bedriu tani po vjen për ju! Jo! Bedriun po tenton ta fusë ai tjetri që nuk ka as emrin në fletë votimi”, shtoi kryeministri.

“Domethënë e ka marrë vulën në lule të ballit si ato delet që i vë numrin në vesh “i padëshirueshëm” për Shtetet e Bashkuara dhe Amerikës por edhe për Europën se Europa nuk bën nga këto, nuk vë vula por ama kur e vë vulën Amerika, Europa nuk hap më derë”, përfundoi Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA