Banorëve te Shkozës që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” iu premtoi dëmshpërblim me çmimin e tregut për pronat që iu janë shembur padrejtësisht.
“Unë ju jap fjalën që banesa e asnjë qytetari nuk do të preket pas 14 majit nga Belind Këlliçi. Unë ju premtoj vëmendje, ju premtoj mbështetje, ju premtoj dëmshpërblim me vlerën e tregut për ata që u janë prishur shtëpitë në mënyrë të padrejtë, ju premtoj trajtim të ndershëm dhe të barabartë për të gjithë qytetarët, ju premtoj investime në rrugë, padiskutim ju premtoj investim në të gjithë rrjetin e ujit të pijshëm”, tha Këlliçi.
Mungesa e legalizimeve ishte shqetësim, të cilin Belind Këlliçi e hasi edhe në takimet e tij elektorale me banorët e zonës së Laprakës.
“Ndëshkojini këta për të gjithë këtë padrejtësi që ju bëjnë. T’i ndëshkojmë këta me votë për gjithë këtë padrejtësi që ju bëjnë. Të mbajnë llogari, të dalin para ligjit për si i kanë vjedhur qytetarët se janë vjedhur lekët e tua”, u shpreh ai.
Shfaqjen e rivalit socialist krah artistëve, të cilët dikur kanë mbështetur të djathtën nuk kanë lënë indiferent Belind Këlliçin.
“Unë e kam ndarë llogarinë time, po ju them dhe njëherë, e thashë dhe qëparë, ai ka këto vilat që jetojnë nëpër vila dhe jashtë Shqipërie dhe që nuk ia kanë idenë se çfarë bëhet në Tirana, vipat e mi jeni ju, janë banorët e Tiranës, janë banorët e Shkozës, ishin sot në mëngjes banorët e Laprakës, vipat e mi janë këta fëmijë, janë e ardhmja, janë këta qytetarë. Unë llogarinë e kam me qytetarët, nuk e kam as me oligarkët”, shtoi Këlliçi.
Top Channel