U kapën duke transportuar heroinë drejt Italisë, lihet në burg pronari dhe shoferi i autobusit të linjës Durrës-Milano

02/05/2023 15:56

Gjykata e Durrësit la në paraburgim dy të arrestuarit për drogën e zbuluar në autobusin e linjës Durrës-Milano.

Gjyqtari i seancës Rexhep Bekteshi e vleftësoi të ligjshëm arrestimin e pronarit të kompanisë së cilës i përkiste autobusi, 32-vjecarit Mikel Pici nga Rrogozhina dhe caktoi “Arrest në burg” për të. Të njëjtin vendim mori gjyqtari dhe ndaj shtetasit Piro Rrushi, 57 vjeç nga Fieri, drejtues i autobusit ku u gjet e fshehur droga.

Të dy personat nën hetim akuzohen për trafikim të narkotikëve në bashkëpunim. Shoferi i autobusit u arrestua në orët e para të mëngjesit të 30 prillit, rreth orës 03:45. Ndaj tij rëndon dhe vepra penale e “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.

Sasia prej 13 kilogram dhe 750 gram lëndë narkotike e dyshuar si e llojit heroinë u sekuestrua në portin detar të Durrësit natën mes së shtunës dhe të dielës së kaluar. Droga e ndarë në 26 pako, të mbështjella me natriban u gjet e fshehur në pjesën e pasme të autobusit të linjës Durrës- Milano që po kryente procedurat e imbarkimit në një nga tragetet e linjës së Barit.

Në bazë të analizës së riskut, pas kalimit në skaner, autoritet policore vendosën të kryejnë një kontroll të imët të autobusit që i përket kompanisë “Keli Travel” me qendër në Rrogozhinë, pronari i së cilës gjithashtu u arrestua nga policia, e cila më parë arrestoi në flagrancë drejtuesin e autobusit, Piro Rrushi.

Gjithashtu policia sekuestroi edhe 8 aparate celulare, tabulatet e të cilave janë kërkuar nga kompanitë celulare dhe pritet të zbardhen për të zbuluar të tjera prova në funksion të hetimit, përfshirë dhe personat e tjerë të implikuar në këtë tentativë të trafikimit të narkotikëve drejt Italisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA