Shiu nuk e pengoi kryesocialistin Edi Rama, të vijonte takimin elektoral në prezantimin e kandidatin për bashkië Devoll, Eduart Duro, dhe të fliste për kandidatin e opozitës.
Edi Rama një pjesë të fjalës së tij ia kushtoi kundërshtarëve të tij Berisha-Meta.
“Më duket një budallallëk të mendohet se këto lidhje të forta të krijuara mes nesh dhe jush të hidhen në erë për të futur në bashki dikë që nuk e njoh fare dhe as nuk dua ta njoh. Më mjafton se kush e sjell për dhëndër këtu, që t’ju them mos fusni sherrin në qytet, mos fusni sherrin në bashki, mos fusni sherrin në komunitet.
Është fakt mbase, po shumë e sigurt që nuk e sjellin këtu për punë po për sherr. E sjellin që me ato fonde që ne do të vazhdojmë të bëjmë punë duke shtuar edhe nga qeveria, disa do t’i çojnë në shtëpi e disa për të paguar autobusë për t’i nisur njerëz në Tiranë për të bërtitur Rama Ik, Rama ik. Kanë 10 vite që bërtasin unë vetëm vij, nuk iki.
Ju lutem shumë mos e bëni gabimin të humbisni edhe katër vite të tjera, pasi nuk ka kohë për të humbur. Duhet të vazhdojmë projektin, do ta shtrijmë këtë pedonale deri në fund. Sot ky është qytezë dinjitoze me njerëz punëtorë. Më 14 maj zgjedhja nuk bëhet për politikë të madhe, as për tifozllëk, as për të nxjerrë kunjat e Luftës së Dytë Botërore të gjyshërve njëri këtej dhe tjetri andej. Se edhe gjyshërit më të paepur të Ballit Kombëtar do të rrotullohen në varr po t’i jepni votën këtyre që i thonë vetes e djathtë, dhe që vijnë këtu me në krye Like floririn. Kjo është një pështymë mbi varrin e gjyshërve.
Unë dua t’ju them të djathtëve këtu, nuk doni të më shikoni mua më pushkatoni, por ju duhet që kur të dilni në rrugë të jetë pastër, ju duhet që vendi ku do të rrisni fëmijët të ketë rrugë, çerdhe e shkolla. Ju duhet që bashkia të jetë një derë e hapur, në mënyrë të barabartë. Më 14 maj vota nuk është për të ndarë hesapet e të majtës dhe të djathtës, është kë të zgjidhni që të ju bëjë punën për katër vite. Nuk na konkurron njeri kur vjen puna tek puna”, tha Rama.
Top Channel