Në Bruksel ka filluar takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksander Vuçiç, në kuadër të bisedimeve për zbatimin e një marrëveshjeje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Takimi është i pari i nivelit të lartë politik pas pajtimit në Ohër për rrugën e zbatimit të marrëveshjes që u arrit më 27 shkurt në Bruksel.

Bashkimi Evropian gjatë ditës ka thënë se palët pritet “të miratojnë deklaratën për personat e zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës dhe kjo do të pasohet me paraqitjen dhe diskutimet rreth projektit t të parë të statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Nga ana tjetër pritjet amerikane janë për një takim konstruktiv dhe që sjell përparim në bisedime, posaçërisht për formimin e Asociacionit.
Kurti, përpara takimit, bisedoi me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në komunikatën nga Zyra e Kryeministrit thuhet se ishte një takim miqësor e produktiv, të cilin kryeministri Kurti e filloi duke e falënderuar z. Escobar për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rastin e votimit në fazën e parë të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke e cilësuar atë të arritur meritore të Republikës së Kosovës.

Top Channel