Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, takohen sot në Bruksel mes paqartësive që rrethojnë statutin e shumë diskutuar të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Prezantimi i tij në takimin e sotëm e ka konfirmuar vetë i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, por dakordësia për këtë çështje duket nuk ka për të qenë e lehtë.

Lajcak tentoi paraprakisht t`i ulte disi pritshmëritë për takimin duke thënë se pavarësisht rezultatit, e rëndësishme është mbajtja e tij dhe fakti që fillimi i procesit të krijimit të Asociacionit do të jetë në axhendë. “ Do të prezantohet drafti i statutit të saj, që është hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, është shprehur Lajçak.

Nga ky takim pritet të nënshkruhet edhe deklarata e përbashkët e dakorduar në takimin e parafundit për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Nga Kosova paraqiten rezerva në lidhje me punën e ekipit menaxhues.  Kurti, është ankuar se puna e Ekipit Menaxhues, i cili përbëhet nga përfaqësues të komunitetit serb, dhe përmbajtja e statutit nuk janë siç thotë ai, “edhe aq të njohura”.

Kryeministri tha se i ka shprehur Bashkimit Europian gatishmërinë që ta hartojë vetë draft-statutin për Asociacionin, por se nga BE-ja i është thënë se kjo është punë e Ekipit Menaxhues. “Ky ka qenë qëndrimi i ndërmjetësit, ndërsa unë si kryeministër i Kosovës kujdesem për kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe që gjithçka të jetë në funksion dhe në përputhje me qëllimet tona dhe parimet tona”, ka thënë Kurti. Vuçiç nga ana tjetër ka deklaruar se Ekipi Menaxhues do të prezantojë statutin për formimin e Asociacionit, por ka shtuar se nuk ka shpresa të mëdha që pala tjetër do ta pranojë atë”.

Top Channel