Kryeministrja serbe Ana Bërnabiç tha sot në Mostar se nuk pret asgjë nga vazhdimi i sotëm i dialogut në Bruksel.
“Fatkeqësisht, nuk kam asnjë pritshmëri nga takimi. Nuk e shoh se si do të ndryshojë ky dhjetë vjetësh pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit. Nuk e shoh gatishmërinë e Prishtinës”, u tha Bërnabiç gazetarëve.
Sipas saj, Prishtina “tashmë është shpërblyer mirë për moszbatimin e asaj marrëveshjeje”.
Kryeministrja e Serbisë pretendon se autoritetet e Prishtinës kanë shkelur Marrëveshjen e Brukselit edhe gjatë vitit 2022, duke “ua mohuar dy herë të drejtën e votës serbëve në zgjedhjet e shpallura nga Beogradi”
“As BE-ja dhe as Quinti nuk u përpoqën ta pengojnë këtë”, ka theksuar Bërnabiç, duke i cilësuar zgjedhjet e fundit në veri të Kosovës, të organizuara nga autoritetet e Prishtinës, si “kuazi zgjedhje”.
Kujtojmë që sot Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç në Bruksel. Ky do të jetë një nga takimet me të rëndësishme në nivelin e lartë politik, e ku temë diskutimi do të jenë të pagjeturit dhe prezantimi i draft statutit të Asociacionit.
Top Channel