Nga Rrogozhina ku zhvilloi takimin elektoral të radhës, kryetari i partisë socialiste për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj kërkoi votën për kandidatin Edison Memolla.
Ai tha se kandidatët e tjerë nuk kanë lidhje me Rrogozhinën, por e duan atë vetëm për “ekskursion politik”
“Nga vijnë këta kandidatët e tjerë?! Nisen në mëngjes nga Tirana, bëjnë ekskursion këtu dhe kthehen prapë në Tiranë. Kanë drejtuar lojërat e fatit dhe mendojnë se Rrogozhina është një ruletë. Ne sot duhet t’ju japim një mesazh. Kjo nuk është tavlla jote, kjo nuk është ruleta e Saliut, kjo është Rrogozhina e Partisë Socialiste, e njerëzve të ndershëm, e njerëzve të drejtë, e atyre që duan punën e ta çojnë përpara. Këta që vijnë për ekskursion, 4 vjet zhduken. Ndërkohë ne e kemi ‘shalqi me provë’ Edisionin, jo vetëm që nuk zhduket, por ka qenë këtu përditë e përnatë, ka qenë këtu për çdo siklet e çdo hall, në ditët tona më të vështira ndaj dhe sot që po shndrit ky diell dhe ditët më të mira i kemi përpara, ne do të vazhdojmë të ecim përpara me Edisionin dhe me Partinë Socialiste,” tha Veliaj.
Sipas Veliajt në këto zgjedhje është fare e qartë se kush ndodhet përballë Partisë Socialiste
“Sot është më e qartë se kurrë që kemi përballë ca njerëz që duan ta çojnë Shqipërinë mbrapa. Sot kemi përballë Saliun dhe Ilirin, njëri prej tyre është non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tjetri na doli që ishte spiun i sigurimit, fuksi i lagjes, 2-lekshi që shkonte spiunonte shokët. Është bashkuar fuksi me non-gratën dhe janë bashkuar dy njerëz të cilët vetëm dëme i kanë sjellë Shqipërisë. A ju kujtohet 21-janari, a ju kujtohet Gërdeci? A ju kujtohet kur e kishin Bashkinë e Tiranës?! Falas, falas thoshin çdo gjë, por falas ishte vetëm Sudja që pasi mori të gjithë lekët kur Saliu thoshte: ‘kjo është Zvicra’ – i lanë njerëzit me gisht në gojë. Nëse Saliu nuk shkon dot deri në Rinas, është halli i tij. Nëse Ilir Meta doli që ishte fuks i sigurimit, është problem i tij. Problemet tona janë të familjeve dhe të fëmijëve tanë dhe për këtë arsye duhet të shkojmë përpara. Nuk kemi lidhje me hallet e tyre dhe nuk ka pse Rrogozhina të humbasë kohë me non-grata-t,” përfundoi Veliaj fjalën e tij.
Top Channel