Në Gjirokastër u mbajt për të tretin viti radhazi një ngjarje disa ditore ndërkombëtare e skydiving.
Ky show ajror solli në Gjirokastër pilotë nga shumë vende 30 prej të cilëve vetëm nga Italia. Lëshimet me parashuta nga avioni ishin spektakolare dhe dhuruan emocione edhe për shumë pjesëmarrës amatorë.
Pilotja shqiptare dhe njëkohësisht organizatore e eventit tha se megjithëse lugina e Drinos dhe aerodromi gjeografikisht janë ideale për eventin infrastruktura lë për të dëshiruar dhe ende ky event është larg standartit të kërkuar.
Pjesëmarrësit janë shprehur entuziastë dhe e kanë çmuar eksperiencën si mjaft të veçantë sa i përket parashutizmit sportiv por edhe fluturimeve panoramike. Eventi përfshiu dhjetëra fluturime me rënie të lirë nga 4200 m lartësi.
“Është hera e parë që vij në Gjirokastër, qytet i mrekullueshëm dhe ndjesi fantastike prej fluturimit. Unë kam shkollën time të parashutizmit në Itali në Carpi afër Modenas. E kam filluar me këtë sport në vitin 1987 dhe tani kam rreth 7000 hedhje me parashutë. Bazuar në përvojën time kam zbuluar se Shqipëria ka potencial të lartë për këtë sport dhe terrene shumë të përshtatshme si ky në Gjirokastër.”
Aerodromi fushor i Gjirokastrës e morri statusin zyrtarisht vitin e kaluar pas një lobimi rreth 30 vjeçar.
Sipas specifikimeve të certifikimit lejohet ulja e avionëve të vegjël me peshë deri në 5700 kg nga lindja deri në perëndim të diellit vetëm në kushte të përshtatshme atmosferike.
Hapi i radhës sipas ekspertëve dhe pilotëve do të ishte ndërtimi i një hangari për avionë të vegjël, një pike karburanti për furnizim si dhe disa shërbime përreth aerodromit.
Top Channel