Cërriku ishte i stacioni i radhës në rrugëtimin e gjelbër të socialistëve për zgjedhjet e 14 majit.

Kryeministri Edi Rama prezantoi gjithashtu kandidatin për kryetar bashkie, Andi Sallën.

 Edi Rama: Shumë faleminderit për këtë mikpritje që është në fakt një mikpritje që e kam gjetur gjithmonë këtu në Cërrik, por ndryshe nga herët e tjera, sot më vjen mirë që ndihem më i lehtësuar para jush sepse sot kemi një bilanc shumë pozitiv nga puna e bërë qysh në momentin kur bashkinë e Cërrikut e mori në dorë një djalë si Andi dhe shpëtuam një herë e mirë nga karaktere të çuditshme, nga forca të cilat nuk kanë asnjë lidhje me interesat e përbashkëta, individë dhe forca që janë në politikë vetëm për interesat e tyre të përveçme.

Më vjen shumë mirë po ashtu që në këtë fushatë, në të gjitha ndalesat, është hera e parë që nuk flasim pothuajse fare për ujin e pijshëm, jo se ka mbaruar gjithë projekti i madh i ujit të pijshëm në të gjithë Shqipërinë, por sepse sot falë kryetarëve të bashkisë së Partisë Socialiste dhe falë mbështetjes së palëkundur të qeverisë, kemi arritur ta përshpejtojmë punën dhe të kemi ujë të pijshëm në bashkitë e vendit më shumë se ç’ka pasur në të gjitha dekadat e kaluara, përfshirë dhe ato dekadat më përpara.

Këtu puna me ujin e pijshëm është vonuar. Është vonuar për shkak të atyre që ishin përpara dhe që duan të vijnë prapë dhe në 4 vite Andi ka bërë, realisht, punë për t’u admiruar, me shumë këmbëngulje, duke mbledhur të gjitha forcat, duke bashkuar të gjitha financimet, duke shkuar në çdo stacion pompimi duke bërë të mundur që më në fund Cërriku të shohë përpara dhe në këtë aspekt.

Nuk dua t’ju flas për Andin sepse për Andin flet puna. Nuk ka ndryshuar Cërriku në të gjithë historinë e vetë sa ç’ka ndryshuar në këto 4 vite dhe mbi të gjitha nuk janë ndryshimet e bëra, por është shpresa tek një e ardhme më e mirë dhe është vizioni dhe është plani për ta realizuar atë vizion dhe për t’i dhënë Cërrikut një tjetër dimension, një dimension ekonomik dhe social që më në fund do ta nxjerrë nga fundi i karvanit të problemeve sociale dhe të problemeve të varfërisë.

S’dua të flas për kundërshtarë, nuk e di fare kush është kundërshtar këtu, por të gjithë kanë një karakteristikë, vijnë nga e shkuara!

Nuk kanë bërë asgjë në të shkuarën madje kanë bërë më shumë dëm sesa punë dhe mbi të gjitha vijnë jo për të bërë më shumë punë, por për të marrë peng bashkitë ku të munden dhe për t’i kthyer në kështjella të luftës politike me qeverinë, pra për t’i mbyllur rrugën zhvillimit, për t’i mbyllur rrugën bashkëpunimit, për t’i mbyllur rrugën e punëve për ju dhe për të filluar nga e para avazin e për t’i harxhuar lekët e taksave tuaja për të financuar autobusë që nisen për Tiranë për të thënë “Rama ik’. Kanë 10 vjet që e thonë. Unë nuk kam ndër mend të iki!

Se thonë ata tani, sigurisht që do vijë dhe dita ime për t’u larguar, por ajo ditë do të vijë kur ne të vendosim bashkërisht. Ata nuk e vendosin dot atë ditë. Ndërkohë që ka një kandidat këtu në qarkun tuaj që e kam shumë për zemër se më kujton edhe Lulin për të cilin më ka marrë shumë malli. Po ai është një nivel më lart, Luluç Boçi i Elbasanit.

Tipik kandidati i këtij bashkimi në dëshpërim, i këtij bashkimi për interesa personale, i këtij bashkimi që i ka të shkruara në ballë të gjitha plagët dhe të gjitha hallet e së shkuarës së Shqipërisë, i bashkimit të non gratës, se si mund të diskutohet në një vend ku të gjithë  e dinë shumë mirë se çfarë rëndësie ka aleanca me SHBA, se çfarë rëndësie ka partneriteti me të fuqishmin e kësaj bote, se çfarë rëndësie ka gjithë ajo punë që kemi bërë që Shqipëria sot është më e respektuar më shumë se kurrë ndonjëherë në sytë e botës, që këtë të mos e llogarisin, por me demek në emër të gjyshit që ka pas qenë, nuk e di se çfarë, dhe familja që vjen nga e djathta dhe qenka e djathtë,  të shkosh t’i japësh votën për punët e qytetit, një non grate të bashkuar, me kë do thoni ju, me Like Floririn!

Tani unë nuk e di, po se si mundet që të shkosh pas Luluçëve dhe ta çosh votën për të ardhmen e vendlindjes, e lagjes ku banon, e qytetit ku banon, votën për pastrimin, votën për gjelbërimin, votën për ndriçimin,  votën për çerdhet, kopshtet, shkollat, votën për ekonominë tek Luluçët dhe tek non grata, e duke thënë jam i djathtë e duke shku me votu Like Floririn , këtë mua s’ma shpjegon dot njeri. Kjo është e pabesueshme!

Një kandidat, se kështu janë të gjithë këta, njëri premton transport falas, tjetri premton internet falas në çdo autobus. Tjetri thotë autobus falas, tjetri thotë drita falas, tjetri thotë nuk e di se çfarë tjetër falas dhe kampioni i tyre, Luluçi i filmit “Zonja nga qyteti”, ju kujtohet filmi “Zonja nga qyteti”? e mbani mend Koçin? Se ky është njësoj , i gjatë, i hollë sikur ka ngrënë okllainë, si Luli. Po ky është më lart se Luli të paktën flinte shumë edhe nuk rrente, ky edhe kur fle, rre shumë.  Doli përpara një populli të urtë, po shumë të mençur si populli i Elbasanit dhe tha “Lidha një kontratë për 400 milionë euro”. E nxori kontratën “kryetari i ri i bashkisë”, domethënë pa u bërë, filloi me rrena dhe me një tjetër që do vinte nga Bari dhe që do sillte 400 milionë euro dhe qe nuk ekzistonte dhe ndërkohë që ne jemi këtu për gjëra të prekshme, për gjëra që ekzistojnë dhe që i them atyre të djathtëve që, kur votoni për kryetarin e bashkisë, votoni që rruga të jetë e pastër, dhe nëse sot edhe këtu në Cërrik nuk sheh një copë letër në rrugë, kjo është rezultat i punës së përditshme që bën bashkia dhe i një kryetari bashkie që i rri punës mbi kokë. Kështu jemi ne! Dhe kështu janë ata që ne çojmë në krye të bashkive, jo se janë perfekt, por sepse i rrinë punës mbi kokë, për atë të duhet vota.

Vota duhet që kur të vijnë vajzat natën në shtëpi mos rrish me ankth që ‘’do t’i hajë ujku’’ se s’ka drita rrugës. Kush do t’i ndërrojë poçat, këta? Këtyre i është fikur llampa e tyre , do vijnë të venë llampa për ju? Si mundet të votosh për ata kur duhet të çosh fëmijën në kopsht e duhet të çosh fëmijën në shkollë dhe këta nuk kanë një shembull në 31 vjet, që kur janë bërë zgjedhjet pluraliste që tregojnë se dinë të bëjnë ndonjë gjë. Se kanë një! Se tregojnë dot!

Ja ku e kanë Shkodrën atje, ka 31 vjet që e fitojnë Shkodrën. Shkodra është qyteti më i prapambetur i Shqipërisë dhe pse ka potencialet më të mëdha ekonomike që kanë qytetet e Shqipërisë. Në Shkodër vazhdojnë plehrat, mbulojnë kazanët me ditë të tëra se këta nuk e kanë  problem pisllëkun. Këta më pisllëkun bashkëjetojnë, këta me errësirën bashkëjetojnë, këta me muret qe bien bashkëjetojnë, këta nuk e kanë problem injorancën, këta nuk e kanë problem prapambetjen. Këta kanë problem vetëm problemet e tyre dhe tani kanë probleme të mëdha me drejtësinë. E çfarë? I duan  bashkitë për t’u fshehur nga drejtësia!

Këta janë e shkuara dhe si të djathtët e si të majtët nuk duhet të kthejnë kokën nga e shkuara se kur shkojnë për të votuar për kryetarin e bashkisë, është njësoj si kur shkon në pazar për të blerë kalin që do të tërheqë karrocën. Edhe nuk e pyet kalin a je i majtë, a je i djathtë dhe nuk e sheh kalin nga ngjyra, e sheh a ta tërheqë karrocën apo jo dhe atij që të shet kalin nuk i thua, “a je i majtë apo i djathtë”, por i thua; “çfarë do bëjë ky kalë për mua”.

Të marrësh këta ti vësh në krye të bashkisë domethënë të të rrejë mendja se po e tërheq karrocën me hiena. Mund ta tërheqin hienat karrocën?

Kështu që ja ku e keni kalin, është shalqi me provë dhe këtë ua u thotë krye kali i Tiranës. Na lini të tërheqim karrocën, të vazhdojmë punën, mos e llocni karrocën në rrugë se nuk ju ndihmojmë dot. Jo ju, se ju e keni ndarë mendjen që keni ardhur këtu dhe shumë faleminderit.

Më vjen shumë mirë që jemi në një kthesë të madhe historike në ekonomi prandaj dhe po rrisim pagat dhe me pagat që kemi filluar të rrisim tani dhe me rritjen që do bëjmë deri në prillin e vitit të ardhshëm do ta çojmë 900 euro pagën mesatare nga 530 euro që është. Pagën minimale e çuam 40 mijë lekë, 45 mijë lekë do ta bëjmë deri në fund të këtij mandati dhe pa e çuar 60 mijë lekë, nuk e kemi mbaruar punën!

Ndërkohë që edhe për pensionistët do vazhdojmë të mbështesim me të gjitha fuqitë që kemi, siç i mbështetëm vjet me mbështetje ekstra, siç ua u morëm, ju kujtohet kur thoshin duan tua u marrin lekët bizneseve për veten dhe s’do ua japin pensionistëve. Ua u morëm atyre eksportuesve të mëdhenj të energjisë dhe ua u dhamë kokërr më kokërr të gjithë pensionistëve para pak javësh dhe do vazhdojmë.

Ne nuk jemi më të mirët, por kuaj të tjerë për të tërhequr karrocën nuk keni ku gjeni. Nuk keni ku gjeni, përveç nesh!

Shyqyr Zotit që jemi ne se s’do kishte më kuaj këtu, fare. Kështu që, ju falënderoj shumë dhe këtu është vendi i duhur se është dhe ditë pushimi sot që para se ta mbyllim ta ngremë pak muzikën që ta shohë gjithë Shqipëria që Cërriku feston, punon, lufton me të ardhmen me Andin në krye dhe me mbështetjen tonë! Shumë faleminderit!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA