Në Dhomat e Specializuara në Hagë, po vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të pestë në gjykimin kundër Pjetër Shalës.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka transmetuar prova materiale, të cilat nuk janë shfaqur për publikun. Dëshmitari me numër 10 në gjykimin kundër Pjetër Shalës, është pyetur për vendin ku ka bërë roje, në shtabin e logjistikës në Kukës dhe për një shtëpi, ku tha se mbaheshin persona e merreshin në pyetje.
Gjykatësja Mappie Veldt-Foglia ka kërkuar nga dëshmitari i pestë që të jap përgjigje konkrete në pyetjet e prokurorisë.
“A e kupton përkthimin mirë? Po ta bëjë këtë pyetje sepse ndonjëherë thua, në përgjigjet e pyetjes që ju bëhet, ti jep një përgjigje të ndryshme nga pyetja që të bëhet. Kështu që ju lutem, mundohuni që të jepni përgjigje pyetjes që ju bëhet. Për shembull në qoftë se ju kërkohet që të bëni një përshkrim të një vendi të caktuar, nuk e kuptoj që pse ti nuk bën përshkrime, por thua diçka ka të bëjë me detyrat e ushtarëve. Kështu që ju lutem dëgjoni me kujdes pyetjet dhe jepni përgjigje pyetjes”, ka thënë gjykatësja Veldt Foglia.
Në paraqitjen e një skice të pamjes së shtabit të logjistikës në Kukës, dëshmitari i pestë është pyetur se çfarë pamje ka pasur hyrja e godinës në Kukës.
Prokurorja: A e njeh atë çfarë të jepet në fotografi, e ke parë më përpara këtë vend? Çfarë njeh, çfarë ke parë?
Dëshmitari: Kjo është hyrja e shtabit të logjistikës.
Prokurorja: Pra kjo është hyrja në shtabin e logjistikës që diskutuam më përpara?
Dëshmitari: Po”, është përgjigjur ai në pyetjet e prokurores.
Dëshmitari i mbrojtur ka folur për vendin ku kishte bërë roje dhe ku flinin ata dhe oficerët. Po ashtu, janë bërë pyetje për zyrën e Sali Saramatit brenda godinës.
Prokurorja: A mund të na japësh pak më shumë informacion për mënyrën se si ishte e organizuar nga brenda kjo godinë, kjo ndërtesa? Për shembull ku flinit ju, ku ishin zyrat, si ishte e organizuar brenda për brenda ndërtesa?
Dëshmitari: Ne ishim në katin e dytë, oficerët ishin në katin e parë, këto dritaret që po shihen, kjo ka qenë zyra e Sali Saramatit …Pak më brenda, 10 metra flinin oficerët.
Prokurorja: Thatë që ju flinit në katin e dytë, sa veta ishit ju që flinit në katin e dytë?
Dëshmitari: 30, 25 se bënin transport ushtria. Nën 20, 30 nuk kemi qenë kurrë.
Prokurorja: Po dhomat ku flinit si ishin ato? Ju të gjithë flinit në një dhomë të vetme>
Dëshmitari: Në një dhomë.
Prokurorja: Po oficerët ku flinin?
Dëshmitari: Oficerët poshtë.
Prokurorja: Edhe oficerët flinin të gjithë në një dhomë të vetme, apo kishin dhoma të veçanta?
Dëshmitari: Ka pasur edhe të veçanta se na ku flinim ka pasur ambulanta, ka pasur mjekë që na këqyrshin”, ka thënë dëshmitari me numrin 10.
Dëshmitari i mbrojtur ka folur edhe për një shtëpi dy-dhomëshe, ku tha se mbaheshin persona e merreshin në pyetje. Sipas tij, kjo shtëpi ishte 20 metra larg nga shtabi i logjistikës në Kukës dhe si e kishte parë vet këto dhoma, dyshemeja e të cilave ishte me dërrasa dhe nuk kishte shtretër.
Prokurorja: Zotëri dëshmitar tek kjo ndërtesa me numër 1, aty njerëzit flinin?
Dëshmitari: Jo, jo. Merreshin në pyetje nga dy-tri orë edhe i mbajshin aty edhe i lëshonin.
Prokurorja: Çfarë do të thuash kur thua i mbanin aty.
Dëshmitari: Po se ka pasur që i ka dërguar Serbia për informata.
Prokurorja: Si trajtoheshin këta njerëz nga UÇK?
Dëshmitari: I merrnin në pyetje edhe i lëshonin.
Prokurorja: Ju thatë që mbaheshin aty, por a kishin të drejtë të iknin nga ajo ndërtesë vet?
Dëshmitari: Jo jo, nuk ka shans me ikë”, është përgjigjur dëshmitari përmes video-lidhjes.
Në gjykimin kundër Pjetër Shalës deri tani janë dëgjuar katër dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.
Sipas Speciales “krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e flet-arrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Top Channel