Pamje ajrore brutale kanë shokuar audiencat, teksa tregojnë tufën e orkave që vrasin një peshkaqen të bardhë në brigjet e Afrikës së Jugut.
Sulmi i orkave, të njohura ndryshe si “balenat vrasëse”, u regjistrua nga shkencëtarët me helikopter dhe dron, ndoshta në pamjet e para reale ku dëshmohet vrasja e një peshkaqeni të bardhë prej tyre.
Eventi i majit të vitit të shkuar ishte një gjueti gati-një-orëshe që përfundoi me vdekjen e peshkaqenit në një prej gjireve bregdetare afrikane Mossel Bay.
Biologët detarë kanë ditur prej kohësh se tufat agresive të orkave mund të sulmojnë peshkaqenët, por rrallëherë ato ishin kapur në kamera kaq qartë.
Pamjet ishin pjesë e një studimi të publikuar në revistën Ecology ku ofrohej një vështrim i detajuar mes përplasjeve mes këtyre dy specieve të mëdha predatore të detit.
“Kjo sjellje nuk ishte monituar kaq qartë deri më sot nga ajri,” tha drejtuesja e studimit Alison Towner, specialiste peshkaqenësh në akademinë e Gansbaai, Afrika e Jugut.
Studiuesit në Afrikën e Jugut kishin dëshmuar më parë vetëm dy orka që sulmonin peshkaqenët e bardhë, por me sa duket kjo sjellje është duke u përhapur.
Studimi jepte gjithashtu ide mbi tentativat e peshkaqenëve për të shpëtuar nga orkat.
Në dy prej rasteve balenat vrasëse i afroheshin presë së tyre ngadalë, ndërsa peshkaqeni në vend që të largohej qëndronte në vend duke ndjekur veprimet e tyre, një strategji e ngjashme me fokat e breshkat e detit kur ato sulmohen nga peshkaqenët.
Kështu që peshkaqeni kur kthehet në pre, ndoshta kopjon strategjinë e vetë gjahut të tij, thonë studiuesit, që në fakt nuk rezulton fare e efektshme.
“Por balenat vrasëse janë kafshë inteligjente dhe shoqërore. Metoda e tyre e gjuetisë në grup i bën ato shumë efektive si predatorë,” thotë specialisti Dr Simon Elwen, i Stellenbosch University.
Studimi konfirmonte se balenat vrasëse sulmonin duke kafshuar peshkaqenin në zonën e mëlçisë, ndërsa studionte periudhat e vitit kur ndodhnin sulme të tilla.
Vetëm në raste të rralla studiuesit vërejtën një reagim me largim të peshkaqenit nga tufa e orkave, që rezultoi dhe strategjia më e efektshme.
Top Channel