Kohë më parë Son Heung-Min, tani Kim Min-Jae. Mbrojtësi nga Koreja e Jugut po shkëlqen me Napolin. Shtatlarti ka qenë një nga surprizat më të bukura të kampionëve të ardhshëm të Italisë.
Kim ka formuar një dyshe të fortë me Amir Rrahmanin në qendrën e prapavijës së skuadrës së Spallettit. Në qytetin jugor italian kanë nisur prej kohësh përgatitjet për festën e titullit.
Pas saj, Kim do të rikthehet në vendlindje për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Në shtetin aziatik është detyrim për çdo të ri të kryejë 21 muaj ushtri.
Por, duke qenë se Kim fitoi medaljen e artë në Lojërat Aziatike 2018, qeveria koreane ka vendosur ta favorizojë. Dhe mbrojtësi do të kryejë vetëm 21 ditë ushtri.
Gjatë shërbimit, 26-vjeçari do të ndjekë disiplinë të rreptë, që nga oraret e deri te mënyra e stërvitjes. Kim do të bëjë ngjitje malore, ecje të gjata, vrapime, teste simulante të luftës. Gjithashtu do të mësojë të gjuajë me armë.
Top Channel