Kosova shënoi rritje ekonomike të lehtë prej 3.5%, sipas raportit vjetor të Bankës Botërore.

Kjo erdhi për shkak të konsumit privat dhe rritjes së eksportit. Megjithatë, vendi u përball me nivel të lartë të inflacionit, që sipas raportit në korrik të vitit të shkuar arriti kulmin në 14.2%, por që në pjesën e dytë të vitit u ngadalësua.

Shkaktar i një shkalle vjetore prej 11.6% e inflacionit erdhi për shkak që Kosova është e varur nga importi, por që në Kosovë u reflektua ndryshe.

“Për vlerën e njëjtë apo sasinë e njëjtë gjatë vitit 2022 kemi paguar deri në 20% më shumë që ka ndikuar edhe në xhepin e qytetarëve të cilëve iu është rënduar edhe jetesa”, u shpreh Blend Hasaj.

Ndihmesë në këtë aspekt do të mund të ishin investimet kapitale sidomos në sektorin e energjisë.

“Në rast se Kosova investon në zhvillimin e ekonomisë ose prodhimit në vend e realizon disa investime kapitale shumë të nevojshme në fushën e energjisë kjo na pavarëson në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ndikimi i çmimeve”, tha Hasaj.

Raporti vjetor i Bankës Botërore tregon se ka vazhduar formalizimi i tregut të punës për 4.9% edhe pse u evidentua mungesë në informata, derisa shtohet se u ul edhe numri i punëkërkuesve për 1.5%.

Importi po ashtu shënoi rritje prej 22% dhe rritja e remitencave u ngadalësua në 6%, e gjithë kjo e ndikuar nga zhvillimet botërore, përfshirë luftën në Ukrainë dhe ndikimin që pati edhe në vendet e Bashkimit Evropian.

Për vitin 2023, Banka Botërore parasheh rritje ekonomike prej 3.7% për Kosovën derisa, parasheh ngadalësim të inflacionit deri në 6%.

Top Channel