Nikulaj u vra për gjakmarrje/ Gjendet motori i vrasësit, ishte hedhur në lumin Drin në Lezhë nga portugezi

27/04/2023 19:00

Motori, me të cilin Ruben Saraiva u largua nga lokali pasi vrau biznesmenin Ardian Nikulaj, u gjet këtë pasdite në një lum në Kakarriq të Lezhës.

“Motorri që ndodhet prapa krahëve të mi, është mjeti që përdori ekzekutori i Ardian Nikulajt të mërkurën e 19 prillit. Pasi u largua nga vendngjarja pikërisht me këtë motor, ai u drejtuar drejt zonës së Gjadrit, aty ku u pikas për herë të fundit edhe nga kamerat e sigurisë dhe më pas motorin e hodhi në lumë për të fshehur kështu një nga provat më kryesore të kësaj vrasje”, raporton gazetarja e Top Channel, Brixhilda Deda, nga vendi ku u gjet motori.

Pas shume ditë kërkimesh policia e Lezhës në bashkëpunim me forcat polumbare të RENEA-s bënë të mundur gjetjen e mjetit me të cilin autori u largua nga vendi i ngjarjes.

Motomjeti u gjet rreth 300 metra nga banesa e Edmon Haxhisë, i cili dyshohet si porositësi i kësaj ngjarjeje. Nga pamjet e siguruara nga vendi i gjetjes së motorit, rezulton që targa nuk është e njëjta me motomjetin me të cilin është pikasur nga kamerat e sigurisë autori i dyshuar i ngjarjes. Policia po vijon hetimet në lidhje me këtë ngjarje, ndërkohe po bëhen ende verifikime në zone për gjetje të provave të tjera.

Sipas hetimeve, Saraiva organizoi vrasjen e biznesmenit, në bashkëpunim me të dyshuarit Edmond Haxhia Done, shtetas shqiptaro- britanik; Harry Simson, shtetas britanik, Harriet Bridgeman, shtetase britanike;  Thomas Mithan, shtetas britanik dhe Steven Hunt shtetas britanik.

Elton dhe Klodian Lestakaj, të cilët jetojnë në Angli, ishin në gjak me Nikulajn. Edmond Haxhia është djali i dajës së tyre dhe dyshohet se ishte ai që porositi vrasësit.

Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin dyshohet se është planifikuar në Londër ku jetonin 6 anëtarët e grupit kriminal që kryen ekzekutimin.

Një ditë më parë, në një banesë në fshatin Gjadër u gjetën pjesërisht të djegura disa veshje që dyshohet se janë të ekzekutorit të biznesmenit. Nga vëzhgimi i imtësishëm i pamjeve të kamerave të sigurisë ka rezultuar se ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj ka mbërritur pranë vendit të ngjarjes 8 orë para vrasjes.

Gjatë kësaj kohe ai ka qëndruar në një pallat në ndërtim nga ku ka dalë vetëm pasi është njoftuar se ishin krijuar kushtet e përshtatshme për kryerjen e ekzekutimit në lokalin ‘Coral’. Pallati në ndërtim e sipër ku qëndroi i fshehur vrasësi është rreth 100 metra larg vendit ku ndodhi vrasja.

Zbatimi i planit nisi para 3 muajsh, kur Edmond Haxhia mbërriti në Shqipëri dhe nisi të studionte lëvizjet e objektivit dhe rrugët që do të ndiqnin pas kryerjes së vrasjes.

Pas Haxhiajt, më 14 shkurt në Shqipëri mbërriti ekzekutori portugez Ruben Saraiva, i cili qëndroi në Shkodër për gati dy muaj në një banesë të marrë me qira dhe shpesh herë është kapur nga kamerat e sigurisë dhe pranë lokalit “Coral” në Shëngjin duke ndjekur objektivin e tij. Në pjesën më të madhe të rasteve, ai lëvizte me të njëjtat rroba dhe me të njëjtin maskim.

Ndërsa në muajin mars, mbërritën 3 britanikë mes tyre dhe një vajzë që kryenin rolin e vëzhguesit duke u fshehur mes dukjes si turistë. Ata kanë shkuar edhe brenda lokalit që konsiderohej vendi më i sigurt për Ardian Nikulajn dhe kishin fotografuar ambientet dhe studiuar daljet. I fundit në Shqipëri ka mbërritur Steven Hunt, i cili erdhi nga Rinasi më 11 prill dhe dyshohet se ishte personi që njoftoi Ruben Saraivën se objektivi ishte i vetëm në tavolinë dhe mund të vepronte.

Të gjithë lanë Shqipërinë brenda 2 ditëve pasi kryen vrasjen por nuk mundën të fshehin gjithë gjurmët e lëna pas. Dëshmi të personave që kanë ndjekur lëvizjet dhe takimet e ndodhura mes tyre në javët e qëndrimit në shtëpi, mjetet e marra me qira, si dhe sende të përdorura prej tyre shërbyen për identifikimin e tyre dhe dokumentimin e autorësisë në vrasje.

Autori i maskuar me jelek fosforeshent dhe skafandër dyshohet se u njoftua që objektivi i tij ishte i vetëm në tavolinë dhe kreu ekzekutimin në 19 prill, rreth orës 13:30.

Policia mundi vetëm të gjejë se kush fshihej pas vrasjes por asnjë prej autorëve nuk mundi dot ta verë në pranga pavarësisht se ndaj tyre ka një urdhër ndërkombëtar ndalimi të dhënë nga gjykata. Tashmë është përgjegjësia e autoriteteve europiane që të lokalizojnë dhe arrestojnë këtë grup kriminal.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA