Eksportet bujqësore u rritën/ Ministrja e Bujqësisë: Në tre muaj janë 500 mln dollarë eksporte

27/04/2023 15:40

Ky do të jetë viti i bujqësisë, këtë deklaratë Frida Krifca e bëri në panairin ndërkombëtar “Ditët e Bujqësisë 2023” në Lushnjë. 

“Tre mujori i parë i vitit është mbyllur me një shifër rekord në rritje krahasuar me vitin e kaluar ku patëm 500 mln dollarë eksporte bujqësore. Ky tre mujor është rritur me 7,6% në sasi dhe mbi 18% në vlerë”, tha Krifca.

Në fund të kësaj pranvere ministrja Krifca tha se agro-përpunuesit do të kenë mundësi të aplikojnë në programin IPARD III, i cili do të injektojë 146 milion euro në bujqësinë shqiptare, me qëllimin e vetëm që fermeri ynë të rrisë sasinë dhe cilësinë e prodhimeve ‘Made in Albania’.

“Shqipëria tashmë është bërë faktor në rajon si origjinë e eksporteve të prodhimeve bujqësore që ushqejnë konsumatorin europian”, shtoi Krifca.

Kësaj herë fermerët fondet e skemës kombëtare do t’i marrin më shpejt se kurrë.  Të hënën mbi 2000 fermerë duhet të bëhen gati të tërheqin naftën falas.

“Duke filluar nga java tjetër jemi gati të shpërndajmë subvencionet për ‘Skemën Kombëtare 2023’, janë 2000 karta naftë të printuara për skemën e naftës, kështu do të vijojmë deri sa të shkojmë në fund”, shpjegoi ministrja.

Nga 27-29 prill mbi 60 subjekte të ndryshme bujqësore  nga vendi dhe Europa do të jenë në Lushnjë për të lidhur marrëveshje të ndryshme tregtare me qëllimin e vetëm që fermerët të rrisin sipërfaqet e të mbjellave dhe grumbulluesit të shtojnë numrin e eksporteve bujqësore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA