​Gërvalla në Këshillin e Sigurimit: Thaçi dhe të tjerët kanë çdo argument në anën e tyre

27/04/2023 20:30

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se ish-presidenti i Kosovës, dhe të tjerët në Hagë që po akuzohen për krime të pretenduara të luftës, janë të pafajshëm dhe argumentet janë në anën e tyre.

Për këtë ajo ka folur derisa i është kundërpërgjigjur ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç, në seancën e Këshilli të Sigurimit të OBK-së.

“Është e vërtetë që zotëri Thaçi është për momentin në Hagë, por unë besoj fuqimisht se ai do të dëshmojë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ai vet, dhe të tjerët që janë të akuzuar, kanë çdo argument në anën e tyre, se janë të pafajshëm nga ato akuza, dhe nuk ja vlen asnjë koment më shumë lidhur me atë që thatë për mua, qoftë si dëshmitar, apo si diçka, pra ndërlidhjen time me çfarëdo dëshmie në Hagë, kjo është e pavërtetë”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka theksuar se populli i Kosovës ka mbrojtur shtëpitë e tyre dhe ata nuk ishin terroristë, por ishin forcat serbe të sponsorizuara nga shteti i tyre.

Ministrja e Jashtme i ka thënë politikanit serb se ai dhe udhëheqësit në Serbi e kanë të vështirë të shpjegojnë për qytetarët se kanë humbur Kosovën në vitin 1999.

“Zotëri Daçiç, ju vetëm sa treguat sot pse njerëzit në Serbi ju kanë quajtur në vitet ‘90 Slloba i vogël, pra një Sllobodan i vogël, një Millosheviç i vogël, për shkak të bosit dhe heroit tuaj. E kuptoj se jeni i zemëruar dhe e njoh këtë gjuhë, sepse unë nuk jam në politikën evropiane që dy a tri vite, por shumë më gjatë, por ju duhet të ua shpjegoni qytetarëve tuaj në vendin tuaj, ju e keni të vështirë të ua shpjegoni qytetarëve tuaj se e keni humbur Kosovën në vitin 1999, por duhet të mbani retorikë të tillë. Unë mendoj që populli i Serbisë nuk meriton diçka të tillë. E vërteta dhemb, e di, mund të përdorni citate nga viti 1500 apo kur të doni, por e vërteta dhemb, më vjen shumë keq për ju”, ka thënë Gërvalla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA