Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu u shpreh se me kërkesë të familjarëve të deputetit Armend Muja, i ka dërguar një picë këtij të fundit kur ka qenë në burg si i dyshuar për rastin e akreditimit në arsimin e lartë.
Nga foltorja e Kuvendit ku po mbahet seanca e jashtëzakonshme për arrestimin e shefit të KEK-ut në Kosovë, Haxhiu reagoi ashpër pasi iu përmend emri nga kolegu i tij partiak, Ferat Shala, duke sqaruar se si humanist që është, i ka dërguar Mujës një picë në burg, por s’ka pasur asnjë ndikim në procesin e lirimit të tij.
“Është e vërtet, kur zotëri Muja ka qenë i arrestuar për korrupsion në rastin e akreditimit, me kërkesën e familjarëve të tij ia kam dërguar një picë në stacion policor si humanist që jam. Por asnjë efekt dhe asnjë ndikim nuk e kam pasur në procesin e lirimit të tij. As nuk e di kur u dal prej burgu dhe as si ka përfunduar rasti i tij”, tha ai.
Mirëpo, gjatë seancës së sotme të Kuvendit, deputeti Muja tha se ai deputetin Haxhiu nuk e ka takuar asnjëherë më herët.
Top Channel