Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha më 25 prill se Rusia po tenton të fshijë historinë dhe kulturën e Ukrainës, pas një sulmi ajror në një muze, ku u vra një punëtor dhe u plagosën dhjetë të tjerë.
Zelensky tha se një sulm ajror rus goditi muzeun e historisë në Kupiansk, qytet që gjendet pranë vijës së frontit në verilindje të Ukrainës.
“Ka ende persona që janë nën rrënoja”, tha Zelensky përmes një postimi në Telegram. Ai postoi edhe një video ku shiheshin persona me uniformë ushtarake duke kërkuar për të mbijetuar nën rrënojat e muzeut pjesërisht të shkatërruar.
Rusia “po vret ukrainasit me metoda absolutisht barbare”, tha Zelensky.
Lideri ukrainas akuzoi Moskën se “po bën gjithçka për të na shkatërruar tërësisht, për të shkatërruar historinë tonë, kulturën tonë dhe njerëzit tanë”.
Shtatorin e vitit të kaluar, forcat ukrainase rimorën kontrollin e Kupianskut, një qendër e rëndësishme hekurudhore në verilindje të Ukrainës.
Në fillim të marsit të këtij viti, autoritetet ukrainase urdhëruan banorët e këtij qyteti që të evakuoheshin, pas rritjes së frikës se Rusia mund të tentojë sërish të marrë kontrollin e Kupianskut.
Top Channel