“Partitë e vogla u thithnin gjakun”/ Rama tregon historinë e mjekut nga Vlora: Si celula demokristiane i mori drejtorinë

25/04/2023 11:20

Kryeministri Edi Rama, në podkastin e organizuar me ekipin e mjekëve të QSUT që morën pjesë në ndërhyrjen kirurgjikale për heqjen e apendicitit, ka rrëfyer edhe historinë e drejtorit të spitalit të Vlorës që e hoqën nga puna.

Rama tregon se në kohën kur ishte në opozitë shkonte nëpër spitale për të kuptuar më tepër mbi problemet e shëndetësisë asokohe. Në Vlorë, rrëfen kryeministri, ishte takuar me një mjek profesor me bindje të djathta që ishte drejtor i spitalit të Vlorës.

Unë e takova në ato kushte dhe më pati bërë një pritje goxha të mirë me thënë të drejtën, burrë zotni, nuk ia kujtoj emrin. Pas ca kohësh e takoj dhe kujtoja se ishte drejtori akoma dhe i them drejtor, “nuk jam më drejtor”, – më tha. “Po pse”, – i thashë? “Po si të ta shpjegoj”, – tha, “unë tha kisha afruar një nga djemtë e rinj dhe i dhashë një mundësi të afrohej pranë meje si nëndrejtor. Ky krijoi një celulë demokristiane dhe më morën drejtorinë.” rrëfen Rama.

Sipas kreut të qeverisë, ky fenomen ishte normal asokohe sepse në një formë shumë banale, një sektor shumë i rëndësishëm si shëndetësia i lihej për t’u menaxhuar partive të vogla të koalicionit.

“Partitë e mëdha, lëshonin shëndetësinë tek partitë e vogla dhe ne e dimë shumë mirë natyrën e partive të vogla në Shqipëri. Partitë e vogla në Shqipëri janë parti të cilat ushqehen duke thithur gjithë gjakun e asaj pjese, asaj parcele të punëve të shtetit që ti ia lë”- thotë Rama, duke shtuar se diçka e tillë nuk ekziston më tani, pasi gjërat kanë ndryshuar.

“Tani jemi parti shtet, tani nuk ka nga këto, por edhe më vonë kur të vijë pluralizmi nuk besoj se do ti lihet shëndetësia më dhe inshallah, edhe nëse do ketë parti të vogla në koalicion, nuk do kenë këtë gjakpirësinë”- u shpreh Rama.

Pjesë nga diskutimi:

Rama: Unë them që ka lidhje shumë kjo me atë që tha profesor Gjata një moment që ka pasur një bazë profesorësh dhe dijesh mjekësia këtu që është trashëguar brez mbas brezi dhe pavarësisht se nuk ka qenë e mbështetur nga armët e infrastrukturës, logjistikës e të tjera, filli i ruajtjes dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor, i ka rezistuar të gjithë dallgëve, vështirësive, boshllëqeve e të tjerë dhe gjëja që ka bërë dëmin më të madh sipas meje me analizën që bëj unë të paktën, në këtë progres të kapitalit njerëzor, ka qenë mos shoqërimi me progresin në menaxhim. Me menaxhimin në ç’sens? Për shembull është e pakuptueshme, por është dhe shumë banale që shëndetësia për një kohë shumë të gjatë mbeti si një sektor që i jepej një partie të vogël. Partitë e mëdha, lëshonin shëndetësinë tek partitë e vogla dhe ne e dimë shumë mirë natyrën e partive të vogla në Shqipëri. Partitë e vogla në Shqipëri janë parti të cilat ushqehen duke thithur gjithë gjakun e asaj pjese, asaj parcele të punëve të shtetit që ti ia lë. Më kujtohet një histori, se këtu besoj do solidarizohesh me mua. Shkoj në Vlorë, ne ishim në opozitë dhe unë shkoja nëpër spitale për të bërë ato dialogjet e përgjithësisht nuk është se gjeja rezistencë nga ana e si të thuash, respektit të komunikimit e të tjera. Në Vlorë, ishte një profesor, nuk e kujtoj emrin, që ishte i partisë si të thuash demokratike atëherë, që ishte drejtor i spitalit të Vlorës dhe unë e pata takuar në ato kushte dhe më pati bërë një pritje goxha të mirë me thënë të drejtën, burrë zotni, nuk ia kujtoj emrin. Pas ca kohësh e takoj dhe kujtoja se ishte drejtori akoma dhe i them drejtor, “nuk jam më drejtor”, – më tha. “Po pse”, – i thashë? “Po si të ta shpjegoj”, – tha, “unë tha kisha afruar një nga djemtë e rinj dhe i dhashë një mundësi të afrohej pranë meje si nëndrejtor. Ky krijoi një celulë demokristiane dhe më morën drejtorinë”. Jo sepse i lihej ministrive, kjo ministri dhe ka ndodhur me të dyja partitë e mëdha. Unë e kam parë gjithë historikun dhe të dyja partitë e mëdha, “lëre shëndetësinë atje”.

– Ne e kemi jetuar.

Rama: Kjo ka krijuar një hapësirë tani. Po të bësh një krahasim, po të marrësh kapacitetin e kapitalit njerëzor që ne e kemi ok, me çfarë ky kapital njerëzor në sistemin shëndetësor ka pasur në dispozicion dhe pikërisht për këtë arsye në radhën më të parë është për këtë arsye. Megjithatë është e tejkaluar, nuk besoj se do ketë më, se tani jemi parti shtet, tani nuk ka nga këto, por edhe më vonë kur të vijë pluralizmi nuk besoj se do ti lihet shëndetësia më dhe inshallah, edhe nëse do ketë parti të vogla në koalicion, nuk do kenë këtë gjakpirësinë.

Prof. Arben Gjata: Unë do thoja vetëm një gjë. Unë besoj se është shumë e rëndësishme faktikisht dhe ka të bëjë me 2013 kjo. Për herë të parë, në një fushatë elektorale u përdor karta e mjekësisë. Asnjëherë më përpara nuk ishte përdorur. Unë di dhe fondet. Unë kam qenë drejtor mjekësor i QSUT 3 vjet, nga 2002 deri në 2005 dhe sasia e parave që ne kishim për materiale konsumi dhe medikamente për gjithë QSUT ishte 5 milionë euro në vit. Nuk e di se si ia bënim. Mblidheshim në zyrë dhe kur bënim listën e barnave që do blenim merrnim vetëm barnat bazike sepse nuk na dilnin paratë për të blerë. Sot është 40 e ca milionë dhe shteti në momente të caktuara ka pasur më shumë para, i ka vënë në dispozicion, është dhe ky faktor dhe një farë kohe mjekësia ngeli kështu që këta po punojnë, njerëzit do të blejnë ndonjë gjë. Kishte prioritete të tjera vendi dhe u bë shumë e rëndësishme që në 2013  u vu. Për herë të parë u bënë gjithë ato debate politike për mjekësinë.

Rama: Janë shumë gjëra bashkë nuk diskutohet…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA