Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se fuqizimi i grave në biznes ndikon zhvillimin e ekonomisë në përgjithësi.

Kurti këto komente i bëri në ceremoninë “Java e Pronësisë Industriale dhe Inovacionit”,  e cila iu dedikua grave në Inovacion dhe Kreativitet dhe është organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Ai u shpreh se gratë kanë dëshmuar që janë protagoniste, si ndërmarrëse e si punëtore e sot janë shumë aktive, prandaj janë të obliguar t’i mbështesin ato.

Kurti po ashtu u shpreh se mundësia në financa për gratë nuk është vetëm fuqizim i grave në biznes, por fuqizim i ekonomisë në përgjithësi.

“Investimi në këtë drejtim është i domosdoshëm. Qasja në mjetet financiare për gratë që e duan punën, është edhe interes afatgjatë i ekonomisë së vendit tonë. Mundësimi në financa për to, nuk është vetëm fuqizim i grave në biznes, por fuqizim i ekonomisë në përgjithësi”, u shpreh Kurti.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari u shpreh se përfshirja e grave në studimet shkencore, por edhe si ndërmarrëse të suksesshme po lënë gjurmë në ekonominë vendore. Ajo tha se kjo armatë punëtoresh po përkrahet me politika të shëndosha edhe nga Qeveria e Kosovës.

Teksa ka listuar shumë nisma ligjore që kanë ndërmarrë si MINT, ministrja Hajdari theksoi se më 11 maj në Bruksel do të nënshkruhet marrëveshje e pjesëmarrjes në programin tregu i përbashkët i Bashkimit Evropian me vlerë 4.2 miliardë euro.

Ndërsa, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani u shpreh se gratë janë shtyllë nxitëse e inovacionit dhe kreativiteti dhe këtë e kanë dëshmuar pavarësisht sfidave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA