Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e akuzoi Serbinë se haptazi dhe vazhdimisht angazhohet “për të penguar” mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë.
Sipas Osmanit, një angazhim i tillë është kundër frymës së Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që palët arritën në Bruksel në shkurt, por edhe Aneksit për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, që u arrit në Ohër në fund të marsit.
“Si e tillë, kjo qasje e Serbisë duhet të kundërshtohet nga e gjithë bota demokratike, meqë njëkohësisht paraqet edhe akt të ndërhyrjes së paligjshme nga jashtë, akt ky që dënohet me një sërë aktesh juridike ndërkombëtare”, tha Osmani.
Këto komente Osmani i bëri gjatë një takimi që zhvilloi me kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme lokale në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Këto zgjedhje u bojkotuan gjerësisht nga popullata serbe, dhe dalja në to, sipas KQZ-së, ishte vetëm 3.47 për qind.
Top Channel